Malindi: Miqësia ime me Ramiz Alinë dhe Sali Berishën
Sot një avokat në profesion, Ilir Malindi, është një personazh që mund të cilësohet mjaftueshëm i çuditshëm. Në fëmijëri ka pasur mundësi të jetojë pranë personazheve protagonistë të politikës së kohës së diktaturës e megjithatë duket se një gjë e tillë nuk ndikoi që ai të ndiqte udhën e ideve të pavarura. Të cilat i kanë kushtuar jo pak. Në jetën e tij para dhe pas viteve ’90, personazhet e ndryshme qenë gjithmonë pranë tij, mes tyre edhe Ramiz Alia dhe Berisha. Lidhur me të parin, Malindi zotëron në albumin e madh të fotove një fotografi të rrallë të Ramiz Alisë dalë në Vlushk të Skraparit. Është një foto e bërë nga vetë Iliri dhe që publikohet për herë të parë. Iliri thotë se kjo foto ka një histori interesante. “Ramiz Alia kishte ardhur për të marrë pjesë në përvjetorin e 25-të të Brigadës VII Sulmuese. Festa bëhej në Vlushk të Skraparit. Duke qenë se terreni ishte malor, Ramizi hipi mbi një mushkë. Shoqëruesi, të cilin e kisha mik timin, më dha aparatin fotografik për t’ia mbajtur pasi ai duhej të ishte i lirshëm për të organizuar mbrojtjen e Ramizit. Terreni ishte i vështirë dhe kjo detyrë në ato kushte ishte me përgjegjësi të madhe, kështu që gjatë udhëtimit, ndërsa shoqëruesi kishte mendjen gjetkë, unë bëra këtë fotografi të rrallë. Por oficeri i shoqërimit më kishte pikasur, pasi më pas më dha porosi që foton të mos ia bëja të ditur shokut Ramiz dhe as ta publikoja”,- tregon Iliri. Ai thotë se kjo foto i përket datës 17 mars 1969.
Zhgënjimi nga Berisha
Vitet e para të periudhës së ‘90 ishin vite ndryshimesh të vrullshme, por ai thotë se kishte besim të madh tek Partia Demokratike dhe udhëheqësi i saj Sali Berisha, “besim,- i cili, shkruan Iliri në kujtimet e tij, u shua dalëngadalë, pasi ata nuk iu përmbajtën asaj që ne i premtuam popullit shqiptar, për liri dhe demokraci të vërtetë në dhjetorin e vitit 1990”. Iliri thotë se është një nga firmëtarët e parë të themelimit të PD-së. Para themelimit të kësaj partie, ai tregon se për të dalë kandidat i pavarur, gjatë muajit tetor, mblodhi vetë mbi 6000 firma nga 300 që kërkonte qeveria e Ramiz Alisë. Në këtë periudhë shkroi artikullin “Merimanga e zezë ose Sigurimi i Shtetit”. Për kandidimin e tij si kandidat i Partisë Demokratike në Skrapar, Iliri thotë se kishte pasur porosi nga Ismail Kadare dhe miku i vet Gramoz Pashko me të cilin kanë hartuar bashkë edhe platformën që ua dërgoi studentëve Gramozi. Miqtë e tij nga Skrapari thonë se kandidimi i tij në ato vite mund t’i kushtonte edhe jetën.
Miqësitë e shkuara e të sotme
I ati i Ilirit, Teki Malindi, ishte mik i klasës së lartë politike, duke filluar që nga Enver Hoxha e Mehmet Shehu dhe që kishte një miqësi shumë të afërt me personazhin tjetër mjaft enigmatik e të fuqishëm, Sulo Gradecin. Afërsia e miqësitë e të atit, i cili në ato vite kishte funksione të larta partiake, bënë që edhe Iliri të kishte njohje direkte me drejtues të tjerë të shtetit totalitar të kohës. Ai sjell kujtime nga takimet që ka pasur me Hysni Kapon, Ramiz Alinë, Kadri Hazbiun, Beqir Ballukun. Por afërsia me personalitetet e atëhershme e ka ndjekur edhe në ditët e pluralizmit. Ka qenë mik me Azem Hajdarin (ruan edhe një letërkëmbim interesant me të), Berishën, Aleksandër Meksin, Fatos Nanon e Ilir Metën. Ka foto të veçanta me Leka Zogun, Ibrahim Rugovën dhe krenohet që ka qenë një nga miqtë më të afërt të Aristidh Kolës. Madje ai është një nga denoncuesit e mëdhenj që ka akuzuar shtetin grek (ku ka jetuar shumë vite si emigrant) për eliminim të qëllimshëm të liderit të arvanitëve shqiptare në Greqi, Aristidh Kolës.
Kundër ideologjisë komuniste
Ilir Malindi u lind në qytetin e Berati në janar të vitit 1953. Në vitet 1976 - 1981 punoi si oficer i organeve të Ministrisë së Punëve të Brendshme, nga ku u largua për mospërshtatje me ideologjinë e asaj kohe. Në ato vite oficer i Sigurimit të Shtetit ai ndëshkohet e shkon në një ndërmarrje ekonomike të Durrësit, në rajonin industrial të Shkozetit si punëtor i thjeshtë. Megjithatë, miqësitë e të atit me nomenklaturën e shpëtuan nga privimet e mëtejshme siç ndodhte rëndom në raste të tilla në ato vite. Në vitin 1982 i shkruan një letër interesante sekretarit të Parë të Rrethit. Në të ai e pyet autoritetin suprem të Partisë së Punës se si ishte i mundur shtimi i numrit të lypësve në qytetin e Durrësit. “Shumë vizitorë e turistë të huaj,- shkruante më tej Iliri, -gjatë vizitave që bëjnë në varrezat e dëshmorëve, detyrohen t’u japin lëmoshë këtyre lypësve dhe më e keqja, në fshehtësi, marrin foto të pamjeve të tilla të shëmtuara të këtyre leckamanëve.” Pasqyrimi i këtij realiteti të dhimbshëm të asaj kohe që është fenomen në rritje edhe në ditët e sotme, ka ardhur duke rritur shkallën e ndërgjegjësimit të Ilirit për ndryshime shoqërore të domosdoshme dhe si i tillë, ai megjithëse i përkiste shtresave të larta të nomenklatures, ishte kandidati i parë për deputet i PD-së në një zonë ekskluzivisht të majtë në Skrapar, ku për shumë vite kishte punuar i ati Teki Malindi si Sekretar i Parë.