E Diel, 1 Nëntor 2026

Emigrantët kanë qenë gjithmonë të interesuar për të votuar, por nuk na e kanë dhënë mundësinë

Intervistë me Artur Porpollogun, Koordinator i Partisë Socialiste të Shqipërisë për Greqinë e Veriut

Z. Porpollogu, ju jeni një menaxher i suksesshëm në një kompani të madhe këtu në Greqi, dhe në të njëjtën kohë koordinator i Partisë Socialiste për Greqinë e Veriut. Çfarë ju shtyn që të keni një angazhim politik të lidhur me Shqipërinë, kur jeta juaj është këtu në Greqi?

Arritjet e e migrantëve shqiptarë, veçanërisht këtu në Greqi, nuk janë aspak një rastësi. Shqiptarët nuk janë më thjesht ata emigrantët e dikurshëm që me mund, sakrifica e kursime kanë mbajtur në këmbë familjet e tyre por dhe ekonominë e rrënuar shqiptare. Pas gjithë këtyre viteve emigrim vetë emigrantët kanë ndryshuar mënyrën e perceptimit të fenomeneve sociale dhe politike, duke marrë pjesë aktive në shoqëritë perëndimore ku ata kanë emigruar. Tanimë shqiptarët në Greqi nuk i sheh vetëm duke bërë punë të rëndomta nëpër kantiere ndërtimi, bujqësi apo pastrim, por edhe të drejtojnë biznese të sukseshme, të jenë pronarë kompanish, të japin mësim në auditorët e shkollave e universiteteve, duke u bërë një pjesë integrale e shoqërisë greke. Nga ana tjetër, për ne atdheu vazhdon të mbetet Shqipëria; aty kemi rrënjët, familjarët, të afërmit, tokat e shtëpitë tona, dhe sigurisht edhe mendja jonë vazhdon të mbetet në Shqipëri, me shpresën se një ditë do mund të kthehemi në vendin tonë. Kjo është arsyeja se pse unë jam angazhuar si koordinator për Partinë Socialiste; unë besoj se kjo forcë politike e ka dëshirën, vizionin dhe aftësinë për ta kthyer Shqipërinë në vendin tek i cili ne mund të kthehemi krenarë, pa pasur asnjë dyshim për të ardhmen tonë dhe të fëmijëve tanë.

A janë realisht të interesuar emigrantët për eventet politike në Shqipëri, dhe si mund të kontribuojnë ata në zhvillimet e politikës shqiptare?

Ne ndjekim me vëmendje çdo ngjarje e zhvillim politik në vend. Nuk mund të jetë ndryshe, pasi pas kemi lënë gjithçka të shtrenjtë për ne dhe familjet tona. Jemi aq të interesuar për hallet e vendit sa çdo herë që ka zgjedhje me qindra e mijëra emigrantë, me shumë mund e vështirësi, gjejnë kohën për të ardhur e për të votuar. Dhe kjo është tërësisht normale; emigrantët sjellim miliona euro në formë remitancash, dhe sigurisht që duhet të kenë edhe ata të drejtën që të thonë fjalën e tyre për mënyrën se si menaxhohet Shqipëria. Mundi, kapacitetet dhe intelektet e emigrantëve shqiptarë duhet të imponohen nga vetë emigrantët, dhe mundësisht vlera e tyre të thithet e të ndihet fuqishëm në Shqipëri, pasi është mëse e e moralshme dhe mëse e drejtë që emigrantët të kenë aksesin e tyre në jetën politike të vendit, dhe në qeverisjen qëndrore e lokale të Shqipërisë.

Cili është mendimi juaj në lidhje me deklaratat e fundit të Kryeministrit Berisha në lidhje me emigrantët shqiptarë në Greqi?

Deklarata e Kryeministrit ishte shumë sipërfaqësore dhe evazive. Në tërë këto vite emigracion, nuk e kemi ndjerë thuajse fare praninë dhe dorën e shtetit tonë, në asnjë nivel. Emigrantët shqiptarë në Greqi kanë vuajtur me vite të tëra për çështje si legalizimi i dokumentacionit, shkollimi në gjuhën shqipe, marrëdhëniet e tensionuara me autoritetet greke, ditët e netët e gjata në pikat e kalimit të kufirit, dhe ndërhyrja e shtetit shqiptar në gjithë këto kohë ka qënë joekzistente. Qeveria shqiptare i mirëpret kontributet financiare të emigrantëve, por deri më sot nuk ka bërë asgjë në këmbim të këtij kontributi. Unë dua të kujtoj që në dy reformat e fundit zgjedhore mazhorancës qeverisëse i është propozuar një projekt-ligj lehtësisht i aplikueshëm për të mundësuar votën e emigrantëve me postë, por Berisha e ka refuzuar këtë variant, pasi Kryeministri nuk do të ketë një votë të cilën nuk e kontrollon dot.

Si do të kontribuojnë emigrantët për zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2013?

Në vitet e fundit Partia Socialiste e Shqipërisë dhe lidershipi i saj ka bërë të mundur krijimin e hapësirave të ndryshme për emigrantët, duke mundësuar tërheqjen e mendimeve, ideve dhe sugjerimeve të tyre për të përmirësuar jetën e tyre në Greqi, por edhe për të ndryshuar radikalisht mënyrën se si do të qeveriset Shqipëria në të ardhmen. Fjala dhe kontributi i emigrantëve është përfshirë edhe në vizionin e PS-së për një Rilindje Shqiptare, dhe ne po punojmë çdo ditë që ky vizion tu bëhet i ditur emigrantëve shqiptarë në gjithë Greqinë. Pas riformatimit të strukturave të Partisë Socialiste në Greqi në vitin e fundit, tanimë janë ngritur degë të reja të Partisë Socialiste në emigracion në një numër të madh qytetesh të Greqisë së Veriut, si Veria, Kozani, Katerini, Kavala, Halkidhiki, Janica, etj. dhe po vazhdon puna për krijimin e një rrjeti kapilar strukturash nëpër qytete dhe fshatra. Po ashtu kemi organizuar dhe po vazhdojmë të organizojmë takime dhe tryeza pune për programin e Partisë Socialiste në qytete të ndryshme të Greqisë, me pjesëmarrjen e strukturave të larta drejtuese të Partisë Socialiste dhe emigrantë të shumtë. Mesazhi i unifikuar i këtyre takimeve ka qënë vetëm një: Mijëra emigrantë shqiptarë në Greqi besojnë tek Partia Socialiste, dhe është e sigurtë se ata do të kthehen masivisht për të votuar PS-në dhe Edi Ramën në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, për ti hapur rrugë Rilindjes Shqiptare dhe integrimit europian të vendit tone.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›