E Diel, 1 Nëntor 2026

Emigrantët në protestë, peticion për 45 ministrat e Jashtëm

Shoqatat e emigrantëve shqiptarë, mbështetës të Partisë Socialiste, protestuan dje në Athinë përpara selisë së OSBE-së, ku po zhvillohej mbledhja e ministrave të Jashtëm. Të mbledhur nën moton "Dua të shoh votën time", emigrantët nënshkruan një peticion publik të cilin ua drejtuan 45 ministrave të Jashtëm pjesëmarrës në takim. "Gjatë historisë së saj 20-vjeçare të tranzicionit, qeveria shqiptare ka dështuar vazhdimisht për të përmbushur standardet në zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe demokratike. Qeveria vazhdoi të dështojë në përmbushjen e standardeve gjatë zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit 2009, edhe pse opozita përmbushi rolin si dhe angazhimet e saj, rekomandimet e OSBE/ODIHR-it në reformën elektorale dhe procesin zgjedhor", thuhet në peticion. Emigrantët thonë se raporti ndërkombëtar e konsideron procesin e numërimit të votave si "të keq ose shumë të keq në 1/3 e qendrave të numërimit. Ai cilëson si shqetësuese vrasjen e një deputeti të opozitës, citon përdorimin masiv të pasurive shtetërore dhe lidhjeve mes shtetit dhe partisë në pushtet nga krahu-gjarpërues, duke kthyer çdo shkollë, universitet, spital dhe institucionet e tjera në një makinë qeveritare zgjedhore". E fundit, por jo më pak e rëndësishme, vijon peticioni, është vendosja represive e gjobave ndaj mediave, të cilat nuk dëshirojnë të pajtohen me propagandën e qeverisë, e cila u theksua edhe nga vëzhguesit ndërkombëtarë. "Për t‘i përkeqësuar gjërat, dhjetëra të dënuar nga lista penale e Shqipërisë u liruan në javën e zgjedhjeve të bredhin lirisht rreth e qark, për të frikësuar mbështetësit e opozitës", thonë emigrantët. Si rezultat i kësaj, thanë emigrantët, opozita shqiptare, plotësisht e vetëdijshme për rëndësinë që standardet e zgjedhjeve kanë për një vend anëtar të NATO-s dhe për procesin e integrimit europian të Shqipërisë, dhe duke njohur rezultatin me të meta ligjore, ka vendosur për të siguruar praninë e saj parlamentare me kusht që nëpërmjet një komisioni parlamentar të transparencës të kryhet hetim mbi të gjitha anomalitë e zgjedhjeve. "Mazhoranca me forcë mban mbyllur kutitë e votimit, nuk lejon transparencën publike, ndërsa për vrasjen paraelektorale të një deputeti të opozitës ende nuk ka një version zyrtar të policisë ende pas 6 muajsh. Pjesëmarrja e gabuar e opozitës në Parlament do të çonte në BE mesazhin e gabuar për demokracinë në Shqipëri", përfundon peticioni.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›