Thagma/Bashkia e Tiranës binjakëzohet me bashkinë e Kabulit
Tirana është qytet, por nganjëherë më duket thjesht si një aglomerat fshatrash që organizohet dhe qeveriset prej kaosit. Tirana prej nëntë vitesh gjendet në një narkozë bastarde që duhet zgjuar jo me pickime, por me veprime ndërgjegjësimi. Asaj i duhet hequr pëlhura e pluhurit të çimentos e të betonarmesë, ku është futur me injeksionin mbi trupin e dikujt që dikur ka qenë i gjallë. Duhet zbuluar, përtej pamjes së sotme të qendrës, - e cila dominohet nga një shesh i stërmadh, pa stil të veçantë, i rrethuar nga një Pallat Kulture tejet i shëmtuar e agjitprop, nga një muzeum i stërmadh (Kombëtar), edhe ai me vulë dhune dhe shëmtim madhështor soc-komunist dhe nga një hotel krejt i rëndomtë - një mori ngjarjesh urbane dhe arkitektonike që flasin më shumë se gjithçka si përsa i përket katastrofës urbane që iu është nënshtruar artificialisht nga keqadministrimi ndër vite.
Si mos të mjaftone kjo, edhe kryeplaku i bashkisë i ngjan një të forti lagjeje, që i teket të thotë aq jashtëqitje gojore sa ka sutaku i tij, pa iu dridhur qerpiku se çfarë mendojnë të tjerët për punët e tij. I forti i lagjes “Tiranë” është një me kokën e qethur zero, i parruar si taleban, i përgjumur nga fjalët që nuk i beson as vetë, si me thënë “i ftohur në tajare”. I forti i lagjes është prijësi Edi Rama, kryebashkiaku i Kabulit e padron i Tiranës, meqë së fundmi këta dy cilësorë nuk është se kanë ndonjë diferencë thelbësore. Tashmë Tirana mund t’i ngjajë farë mirë nga kaosi urban, nga infrastruktura e dobët, nga provincializmi kulturor, nga mospasja e hapësirave të gjelbra dhe nga eko-monstrat e betonarmesë vetëm kryeqytetit të Afganistanit. Dje pati një risi prej Edvinit, por veë nga vendndodhja e protestës, pasi gjërat që tha ishin të ditura, të përsëritura e që të lodhnin duke të vënë në
gjumë.
Ndërkaq edhe improvizimi i një konference për shtyp poshtë këmbëve të kalit të Skënderbeut ishte gjetja më bajate e menduar nga Edvin Rama, i cili bashkë me punonjësit e xhandarët e Bashkisë na shtroi paradarkat e përhershme për shtyp. Nuk ka faj, kjo është politika (thjesht mendimi) që Edi Rama ka për politikën, shfaqje e një palopolitikani që e konsideron demokracinë si një deklarato-kraci.
Në konferencë sheiku i bashkisë foli për Tiranën, sikur të ishte në një qytet model. Absurdi nuk ka fund. Edhe për absurd sheshi ku Rama improvizoi miniprotestën ishte në po atë shesh që i ngjason sheshit kryesor të Kabulit - “Takat” apo “Shermuz” - të mbushur plot me gropa të hapura nga bombat inteligjente. Në qendër të Tiranës aty ku makinat e ndryshme të tiranasve lenë përditë amortizatorët e tyre nëpër gropat dhe asfalti i degraduar deri në rrashtë, që fatkeqësisht nuk janë shkaktuar nga bombat, por nga mos rregullimi i sheshit qysh nga koha kur në qendër ishte busti i Enverit.
Edi Rama nuk respekton institucionet e vendet duke kujtuar se janë çifligje personale, ku administrata e bashkisë është kontorno e banalitetit që ka si kryebashkiak. Shpërnderimi degradues dhe histori-shkatërruesi i qendrës së re të kryeqytetit gjatë viteve të komunizmit është simboli me domethënës i injorancës, arrogancës dhe autoritarizmit të Edi Ramës mbi qytetin dhe qytetarët. Dhe padyshim, ai ka lënë një traditë të mbrapshtë: atë të konsiderimit të trashëgimisë kulturore, si pronë, si çiflig personal.
Është një shesh në Tiranë, që është kthyer në mënyrë perverse dhe inverse nga një flutur e pastër natyre në një larvë masonike. Gjendja skandaloze në të cilën gjendet Tirana, prej dhjetë vjetësh, përtej fasadave dhe lumit të Lanës, ku janë hedhur me miliarda lekë për të rikonstruktuar dhe prej dhjetë vitesh, nuk është rikonstruktuar asnjëherë nga fillimi deri në fund.
Kuptohet vetiu se edhe shfaqja e Edvinit poshtë këmbëve të Skënderbeut ishte simbolika më e paqëlluar që një politikan shqiptar mund t’i japë publikut. Por kjo është thjesht faza e njëfarë primordializmi adoleshent të një adoleshenti që paguan rekrutë-protestash mes Athinës, për të harruar problemet e karrierës së vet. Sa kuislinge shfaqet kjo situatë.