E Shtunë, 31 Tetor 2026

Emigrantët në modë

Sporti më popullor në botë – futbolli, nuk njeh kufi. Janë shumë skuadra që paraqiten me lojtarë të huaj dhe kjo mënyrë po funksionon. Nëse klubi italian Inter fitoi ‘il triplete’ (tre tituj: Ligën e Kampionëve, Serie A dhe Kupën e Italisë), kjo formulë po u funksionon edhe dy skuadrave që kanë impresionuar në fillim të Botërorit 2010.

Gjermania, e cila e shkatërroi Australinë në ndeshjen e parë, dhe Zvicra, e cila ia doli ta befasojë edhe kampionin aktual të Evropës, Spanja. Këto dy ekipe kanë të njëjtën karakteristikë: janë të përbërë nga nacionalitete të ndryshme.

Helvetikët në kontingjentin e tyre kanë 13 lojtarë: treshja kosovare, Valon Behrami, Albert Bunjaku dhe Xherdan Shaqiri, treshja italiane Benaglio, Barnetta e Padalino, serbo-spanjolli Senderos, turqit Gokhan Inler e Hakan Yakin, kurdi Eren Derdiyok, pastaj lojtari nga Bregu i Fildishtë, Johan Djourou, Gelson Fernandes nga ishujt Capo Verde dhe Blaise Itsesima Kufo, i lindur në Kinshasa, në Republikën Dominikane të Kongos.

Kurse, skuadra gjermane, nga 23 futbollistët e ftuar, ka plot 11 lojtarë “emigrantë”.

Fillimisht, aty luan treshja me prejardhje polake, Podolski, Klose e Trochowski, spanjolli Mario Gomez, braziliani Cacau, turqit Ozil e Tasci, për të përfunduar me nigerianin Aogo, tunizianin Khedira, serbo-boshnjakun Marko Marin dhe lojtarin nga Gana, Boateng.

Ndërkaq, vendin e tretë e mban Franca, e cila në ekip ka disa lojtarë të huajë si: Bacary Sagna (Senegal), Eric Abidal (Martinique), Florent Malouda (Guyana), Alou Diarra (Senegal), Vassiriki Abou Diaby (Bregu i Fildishtë), Mathieu Valbuena (origjinë spanjolle), Djibril Cisse (Bregu i Fildishtë), Andre-Pierre Gignac (Rumani) dhe Thierry Henry, i cili është lindur në Francë, por prindërit e tij janë emigrantë nga Guadaloupe.

Madje, francezët rezultatet më të mira i kanë arritur falë lojtarëve të huaj. Së pari në Botërorin 1998 e më pas edhe në Evropianin 2000. Ajo skuadër kishte lojtar vendimtar algjerianin Zinedine Zidane, ndërsa mbështetej edhe nga ‘emigrantët’ tjerë si Thuram, Vieira, Lizarazu e Djorkaeff.

Natyrisht, edhe nacionalizmi ka arritur rezultate të shkëlqyeshme. Për shembull, Brazili, me lojtarë 100 për qind vendorë ka triumfuar në pesë kampionate botërore, kurse Italia në katër sish.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›