Emigrantët shfaqin interes për zgjedhjet, 3100 persona rikthehen për 2 ditë nga Kapshtica

Kjo verë ka nxitur emigrantët shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në shtetin fqinj, me një arsye më shumë për të ardhur në vendin e tyre. Zgjedhjet e 28 Qershorit i bëjnë ata më të motivuar në rrugën drejt vendit të tyre. Përgjatë kësaj jave pika e kalimit kufitar të Kapshticës ka qenë e mbushur me hyrje bashkatdhetarësh. Sipas komandantit të vendkalimit kufitar të Kapshticës Dritan Shema, mësohet se gjatë kësaj jave ka patur një rritje të hyrjeve nga Greqia drejt Shqipërisë.
Natyrisht, shtimi i numrit vjen dhe për arsye të zgjedhjeve parlamentare, ndërsa policia shqiptare ka marrë masat për një pritje të tyre, thekson Merma. Shifrat zyrtare bëjnë të ditur se nëpërmjet kësaj pike kalimi vetëm në 48 orët e fundit kanë hyrë rreth 3100 emigrantë me 1050 mjete. Ky është numri më i lartë i kësaj periudhe, ndërkohë që në ditë të zakonshme kalojnë kufirin drejt Shqipërisë deri në 300 udhëtarë shqiptarë. Për të hyrë në atdhe, emigrantëve deri në ditën e sotme nuk iu është dashur të presin me orë të tëra si ndodh rëndom në raste festash. Kjo pasi dhe hyrjet e tyre kanë qenë në orare të ndryshme dhe jo të përqendruara në të njëjtën kohë. Qeveria greke ende nuk ka dhënë ndonjë leje për hyrjet në Shqipëri dhe të atyre emigrantëve që i kanë lejet e qëndrimit në proces rinovimi, teksa këtë privilegj do ta kenë ata që kanë leje qëndrimi në Greqi, por dhe që jetojnë në qytetet në afërsi të kufirit. Përsa i përket fundjavës autoritet shqiptare në pikën kufitare të Kapshticës bëjnë të ditur se pritet një rritje e fluksit të hyrjeve nga shteti grek, ndonëse nga pala greke nuk ka ndonjë sinjal për shtim sportelesh. Përsa i përket palës shqiptare, ajo ka venë në dispozicion pesë sportele vetëm për hyrjet nga Greqia drejt Shqipërisë. Gjithsesi gjatë të enjtes pritet të ketë një takim për këtë çështje me palën greke për të bashkërenduar veprimet në rast të një dyndje të emigrantëve nëpërmjet pikës kufitare të Kapshticës për të vazhduar më pas në thellësi të territorit shqiptar. Por politika shqiptare nga ana tjetër e ka parë si një oportunitet ardhjen e emigrantëve shqiptarë për të votuar për zgjedhjet parlamentare të 28 Qershorit. Kështu, gati të gjithë kandidatët për deputetë të rajonit të Korçës kanë shkuar në qytetet në afërsi të kufirit me Shqipërinë duke nisur nga Selankiu, Kosturi, Amidio etj., për të ftuar emigrantët të vijnë në atdhe ti bashkohen votës së gjithë shqiptarëve. Ben Blushi, Pandeli Majko nga e majta por dhe Ritvan Bode, Gjergji Papa nga PD kanë patur disa takime të shoqëruara edhe me koncerte në qytetin e Selanikut kryesisht por dhe në disa vende të tjera. Kështu, në qytet në afërsi të kufirit shqiptar si në Kostur, Kozan, Follorinë, Amidio etj., janë mbi 10 mijë emigrantë shqiptarë kryesisht nga qarku i Korçës, një pjesë e të cilëve pritet të udhëtojnë gjatë kësaj të diele drejt vendit të tyre. Madje edhe nga Selaniku pritet të vihen disa autobusë në dispozicion nga dy partitë politike për udhëtime falas drejt Shqipërisë për zgjedhjet. Por ndërsa dëshira për të votuar është e madhe te emigrantët, ata hasin në probleme në listat zgjedhore sapo vijnë në Shqipëri. Kështu, disa fshatra banorët e të cilëve janë në emigracion si Drenova, Dardha, Boboshtica etj., janë me qindra emigrantë që nuk e kanë emrin e tyre në listë, që do të thotë se udhëtimi i tyre drejt atdheut do të dështojë pasi nuk do të kenë mundësi të votojnë. Përsa i përket pajisjes me karta identitet vetëm një pjesë e vogël e tyre kanë ardhur për të kryer këtë proces, pasi gati të gjithë janë të pajisur me pasaportë ndërkombëtare.