Arrestohen një polic e dy studentë me drogë

Tre shtetas, nën akuzën e "trafikut të narkotikëve", u arrestuan ndërsa ju sekuestrua lënda narkotike, e llojit canabis sattiva. Operacioni policor "Kursanti", mundësoi vënien para drejtësisë të tre të rinjve, si dhe goditi një bazë problematike të shpërndarjes së lëndëve narkotike në zonën e Kinostudios dhe Kombinatit në Tiranë. Sipas burimeve të policisë, u arrestuan në kushtet e flagrancës, në afërsi të kryqëzimit të farmacisë Nr.10 Tiranë, shtetasit Ardit Hoxha dhe Julian Plaka, të dy studentë, të moshës 21 vjec, si dhe iu sekuestrua në cilësinë e provës materiale një çantë me një sasi bime e dyshuar narkotike, e paketuar, me peshë 3 kg e 444 gr. Ndërkohë, u arrestua në dhomën ku akomodohej, pranë godinave të Fakultetit të Mjekësisë Tiranë, 23 vjeçari Shkëlzen Kërçuku nga Kavaja, punonjës policie, kursant, ndërsa iu sekuestrua në cilësinë e provës materiale një sasi lënde narkotike, e dyshuar canabis sattiva, një pistoletë, një palë pranga të policisë, një armë e ftohtë (thikë).