E Diel, 1 Nëntor 2026

Emigrantët, si mund të përfitojnë shërbim shëndetësor falas

Urdhri: Pacientët pa librezë shëndetësore, paguajnë tarifë fikse

Në këto ditë mijëra emigrantë janë kthyer në vendin tonë. Për të takuar njerëzit e afërm, por edhe për të pushuar në bregdet, për shumë prej tyre destinacioni ka qenë Shqipëria. Mirëpo në këto ditë të ngrohta vere, mjekët e spitaleve dhe urgjencave kanë referuar raste të shumta të emigrantëve, të cilët kanë kërkuar ndihmën mjekësore. Në vendin tonë shërbimi i urgjencës ofrohet falas për të gjithë, duke përfshirë edhe emigrantët. Ndërkohë që për vizita mjekësore, bazuar edhe në sistemin e referimit, në rast se nuk jeni të përfshirë në Skemën e Sigurimeve Shëndetësore ju duhet të paguni tarifën e shërbimit. Një urdhër i fundit i Ministrisë së Shëndetësisë dhe Instituti i Sigurimeve dhe Kujdesit Shëndetësor udhëzon emigrantët se si mund të përfitojnë shërbim shëndetësor falas edhe në vendin tonë.

Sigurimi

Fillimisht çdo emigrant në momentin që kthehet në Shqipëri për tu përfshirë në Skemën e Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor duhet të zgjedhë mjekun e familjes. Më pas mjeku do ti hapë atij kartelën personale për ti bërë më pas regjistrimin në regjistrin themeltar të banorëve që mbulon me shërbim shëndetësor ky mjek. Bazuar në ligjin Për sigurimet shëndetësore emigranti duhet të saktësojë statusin e tij sipas ligjit të sigurimeve shëndetësore.

Dokumentet

Dokumentet që duhet të paraqiten nga personi, në mënyrë të tillë që të përcaktojnë kategorinë sipas ligjit, janë: libreza e siguruar aktive kur është i punësuar, vërtetimi nga Zyra e Punës kur është i regjistruar si punëkërkues, vërtetimi i asistencës kur është në asistencë, vërtetimi i ndihmës ekonomike, libreza e pensionit kur ka dalë në pension, vërtetimi përkatës nga Komisioni Epror Mjekësor (KEMP) kur ka ndonjë sëmundje invaliduese, certifikata për fëmijët e moshës 0-16 vjeç etj (sipas ligjit, fëmijët 0-16 janë të siguruar sepse përfshihen në kategoritë pasive që shteti paguan).

Për të gjithë personat të cilët nuk e gjejnë veten në kategoritë e mësipërme, Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor (ISKSH) ofron sigurimin vullnetar, mbështetur në ligjin nr. 7870, datë 13.10.1994, Për sigurimet shëndetësore në Republikën e Shqipërisë.

Sigurimi vullnetar

Personi që sigurohet vullnetarisht, duhet që të drejtohet në zyrat rajonale të ISKSH-së me një dokument identiteti. Aty nënshkruan një aktmarrëveshje me autoritetet rajonale të ISKSH-së për sigurimin vullnetar, kryen pagesën për sigurimin shëndetësor në masën 3.4% të pagës minimale për efekt siguracioni të përcaktuar me VKM. Shuma e pagesës që duhet të paguajë në momentin fillestar, përfshin periudhën 1 vit përpara datës që po bën siguracionin dhe është e vlefshme edhe për 3 muajt pasardhës. Pas kësaj procedure, përfshihet menjëherë në skemë.

Libreza shëndetësore

Dokumentacioni që duhet të disponojë personi i siguruar për tu pajisur me librezën e shëndetit, duhet që të ketë një kartë identiteti ose pasaportë. Dokumentin që vërteton statusin e pacientit, vërtetim nga mjeku i familjes ku është regjistruar me numër kartele.

Sistemi i referimit

Zbatimi i sistemit të referimit bazohet në disa parime kryesore ku shërbimi i mjekut të familjes përbën portën e sistemit shëndetësor. Solidariteti përmes kontributeve të sigurimeve shëndetësore mbron individët dhe familjet nga shpenzimet rrënuese për shkak të sëmundjes. Shteti merr përsipër të paguajë për shërbime bazë me impakt të rëndësishëm në shëndetin publik (vaksinimi, planifikimi familjar, kujdesi para dhe paslindjes, kujdesi për foshnjën, informimi/edukimi, depistimi etj.) si dhe kujdesin shëndetësor për kategori të veçanta të përmendura më lart. Zbatimi i sistemit të referimit nga niveli më i ulët në nivelin me të lartë lehtëson marrjen e shërbimit bazë dhe atë të kualifikuar në mënyrë të barabartë në institucionet e duhura dhe në kohën e duhur.

Zbatimi i sistemit të referimit shmang marrëdhënien financiare të drejtpërdrejtë midis qytetarit dhe mjekut (mitmarrjen). Të gjithë pacientët e referuar kalojnë nga mjeku i familjes - specialist në poliklinikë - spital i rrethit - spital rajonal - spital universitar, duke pasur në mënyrë të detyrueshme rekomandimin e mjekut, librezën e shëndetit dhe një dokument të identifikimit. Pacientët që nuk kanë këto dokumente, paguajnë tarifën e parashikuar për aktin mjekësor që do të kryejnë.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›