Emigrimi, marrëveshje e re me Greqinë
Marrëveshja, për punësimin sezonal dhe emigrimin
Në fillimin e dhjetorit u nënshkrua me Italinë
Shqipëria dhe Greqia ndodhen një hap afër marrëveshjes së re të emigracionit, që do të ndryshojë mënyrën e emigrimit në vendin fqinj. Marrëveshja tashmë ndodhet në tratativa mes ministrive të Jashtme mes dy vendeve dhe pas finalizimit të detajeve të fundit do të nënshkruhet. Vetëm tri javë më parë është nënshkruar marrëveshja përkatëse me Italinë, që përcakton një sërë risish në mënyrën e emigrimit të shqiptarëve.
Marrëveshja
Burimet e gazetës bëjnë të ditur se marrëveshja parashikon një gamë të gjerë fushash përpunimi, në ndryshim nga marrëveshja me Italinë, që përfshinte vetëm emigrimin sezonal. Këto burime bëjnë të ditur se punësimi sezonal, që do të ndërmjetësohet nga zyrat e punës në Shqipëri, do të jetë një pjesë e marrëveshjes. Ndërkohë pjesa tjetër e saj do të ketë të bëjë me llojet e tjera të emigrimit të shqiptarëve në vendin fqinj.
Formimi profesional është një tjetër pjesë e marrëveshjes, ku dy vendet zotohen se do të shkëmbejnë eksperienca dhe se Greqia do të ndihmojë Shqipërinë në rritjen e nivelit të formimit profesional, që do të ofrohet falas nga zyrat e punësimit. Drafti është përgatitur nga Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta dhe tashmë janë ministritë e Jashtme të të dyja vendeve që po hedhin në letër aspektin formal të marrëveshjes.
Marrëveshja me Italinë
Në datën 3 dhjetor u nënshkrua nga ministri shqiptar dhe ai italian i Punës, marrëveshja për emigrimin sezonal të shqiptarëve në Itali. Me anë të marrëveshjes së re, qeveria italiane do të përcaktojë numrin e punonjësve sezonalë që do të vijnë nga Shqipëria, e më pas ky numër do të menaxhohet nga zyrat e punës në mbarë vendin. Këto zyra, së bashku me sportelet e emigracionit që janë çelur tashmë, do të merren me trajnimin profesional të të papunëve që janë të interesuar. Një kandidat që dëshiron të shkojë në Itali, do të duhet të aplikojë paraprakisht në zyrat e punës. Ai duhet të jetë i regjistruar ndërkaq si i papunë dhe të përfitojë këtë status. Pas aplikimit, ai do të duhet të paraqesë formimin e tij profesional, pra për çfarë është i specializuar dhe nga cili institucion. Nëse aplikanti është i specializuar, atëherë ai kualifikohet për përzgjedhjen finale. Në të kundërt, zyrat e punës do të zhvillojnë kurse falas kualifikimi, në të cilat do të trajnojnë të papunët për profesione të veçanta. Me përfundimin e këtyre kurseve, ata do të marrin një certifikatë të njohur nga shteti shqiptar dhe ai italian, me anë të së cilës do të mund të kalojnë në fazën e fundit të përzgjedhjes, për ato profesione që kërkohen për punëtorët sezonalë në Itali. Edhe ky aspekt është pjesë e marrëveshjes që do të nënshkruhet me Greqinë.
Sportelet
Një hap më afër këtij projekti është hedhur tashmë në vendin tonë, pasi në zyrat e punësimit janë çelur sportelet e emigracionit. Këto zyra do të funksionojnë në cilësinë e institucionit që do të merret me dhënien e informacionit për migracionin. Bëhet me dije se sportelet e emigracionit janë njësi, të cilat nuk do t’u shërbejnë vetëm shtetasve shqiptarë të interesuar për çështje të emigracionit, por këto sportele do t’u shërbejnë edhe shtetasve të huaj të lidhur me imigracionin.