E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kriza ekonomike prek anijet tregtare



Anijet e transportit reduktojnë ekuipazhet

Dhjetëra anije ankorohen në Portin e Durrësit

Kontenierët shqiptarë duket se këtë fundviti kanë vendosur të ankorojnë anijet e tyre në kalata, duke paraqitur si pretekst “krizën ekonomike globale”, e cila tashmë duket se ka prekur ndjeshëm sektorin e transportit detar vendas. Shumica e tyre po qëndrojnë të ankoruara nëpër kalata si dhe në radën e jashtme të portit, pasi nuk po gjejnë oferta nga ana e grosistëve, të cilët transportojnë mallra si nga importi ashtu dhe për eksport. Një pjesë e mirë e pronarëve të mjeteve lundruese kanë nisur të përgjysmojnë ekuipazhet e tyre dhe kanë mbajtur në punë vetëm një pjesë, e cila është e domosdoshme për mirëmbajtjen e këtij arsenali. Ndërsa disa pronarë të tjerë i kanë nxjerrë anijet në shitje, për të rinovuar mjetet e tyre lundruese. Mësohet se tregu më i mirë për blerjen e anijeve të reja mbeten vendet nordike. Por më të lumtur kanë qenë ata të cilët kanë gjetur punë me kohë nëpër vende të tjera, madje jashtë kontinentit duke punuar tranzit për subjektet e këtyre vendeve.

Pragkriza e sektorit të anijeve

Tre muaj më parë u dhanë sinjalet e para se kriza ekonomike globale do të prekte edhe sektorin e transportit detar, i cili përballon 60 për qind të importit dhe eksportit tek ne. Që nga muaji shtator dhe deri më sot 2/3 e anijeve kanë mundur të përballojnë me sukses pragkrizën e pritshme ekonomike, por ka edhe nga ata që kanë mbetur pothuajse pa punë dhe kanë hedhur spirancat, si në port, ashtu dhe në radën e jashtme të tij. Hysni Aruci, drejtori i Regjistrit Detar Shqiptar, deklaroi për “standard” se “flota jonë e transportit detar përmban në arsenalin e saj 30 anije, me një kapacitet total prej 150 mijë tonësh, prej tyre 20 anije i përkasin portit të Durrësit dhe 10 të tjera porteve të Vlorës dhe të Sarandës”. Këto mjete transportojnë kryesisht mallra të përdorimit të gjerë dhe industrial, duke filluar që nga drithërat e bukës, orizi, sheqeri, lënda e parë për prodhimin e vajit, si dhe lëndë ndërtimi ku bëjnë pjesë çimentoja, hekuri, tullat, tjegullat e të tjera produkte të këtyre kategorive. Për shkak të bllokimit të mjaft prej bizneseve në plan ndërkombëtar, këto anije kanë mbetur pa punë.

Lidhja zinxhir

Sektori i importit dhe eksportit është i lidhur ngushtë me shumë subjekte, të cilat po përballen me pragkrizën e pritshme në këtë sektor, duke marrë masat urgjente. Të tillë janë kamionistët, grupet e ngarkim-shkarkimit, agjencitë detare, pilotazhet e të tjera hallka më të imta. Kjo situatë i ka detyruar armatorët të reduktojnë ekuipazhet e anijeve të tyre dhe të mbajnë nga 3 apo 4 marinarë sa për t’i mbajtur ato në gjendje pune, në mënyrë që të mos amortizohen. Një pjesë e tyre tashmë i ka pasqyruar mjetet lundruese në rrjetin e internetit me të gjitha të dhënat dhe cilësitë e lundrimit dhe i ka shpallur ato në shitje. Këtë procedurë po e ndjekin sidomos ata armatorë që kanë në pronësi më shumë se 1 anije. Në APD deklaruan se “ky ishte njëri ndër shkaqet, i cili pak kohë më parë detyroi Bordin Drejtues Portual, që të vendoste rritjen e sistemit të taksave për shërbimet kundrejt anijeve, duke synuar përballimin me sukses të krizës globale në sektorin e transportit detar”.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›