Rama ndan fetë, nuk uron për Bajram, uron për Krishtlindje
Kreu i PS-së nuk uroi ditën e Kurban Bajramit
Shkak, konflikti Bashki-Komunitet për xhaminë
Nëse ka një gjë për të cilën shqiptarët mburren me kokën lart, është harmonia fetare në vend. Megjithëse ekzistojnë 4 besime fetare, festat e këtyre besimeve janë një moment më shumë për të treguar se sa tolerantë jemi ndaj atyre që kanë një besim tjetër. Këtë harmoni fetare më shumë se kushdo e kanë trumbetuar politikanët shqiptarë, sidomos në diplomaci kur është dashur të tregojnë vlerat e kombit shqiptar. Ndërkohë, ata nuk humbasin asnjë rast për të shkelur në selitë e këtyre komuniteteve fetare sa herë ka një festë apo ditë të shënuar, duke treguar dhe respektin e politikës dhe shtetit ndaj feve. Është bërë tashmë një traditë dhe një rregull i pashkruar që krerët më të lartë të shtetit, politikanë e deputetë bëjnë urimet për çdo festë, duke bërë dhe një vizitë kortezie në zyrat e klerit. Por, kreu i PS-së, Edi Rama, ka thyer këtë traditë të mirë politike të ruajtur gjatë gjithë viteve të pluralizmit, duke ndarë fetë e duke përzgjedhur urimet e tij. Shumëkujt i ra në sy mungesa e tij ditën e Kurban Bajramit vetëm pak javë më parë, një festë e rëndësishme për besimin mysliman. Ai nuk preferoi të bënte urimin tradicional dhe as të shkonte për vizitë tek Komuniteti Mysliman, por e bëri këtë urim dje për Krishtlindje që nga qyteti i Shkodrës. Ditën e Kurban Bajramit, në emër të PS-së, e bënë këtë urim kreu i Asamblesë Kombëtare, Gramoz Ruçi, dhe kryetarja e grupit parlamentar, Valentina Leskaj, ndërkohë që Rama nuk kishte ndonjë axhendë që nuk e lejonte ta bënte ketë vizitë. Ai ndodhej në Tiranë dhe madje po atë natë dha një intervistë të gjatë në një televizion kombëtar. Mundet që kjo ftohje e Ramës ndaj Komunitetit Mysliman të ketë lidhje me një konflikt të vjetër që ai, si kryetar bashkie, ka me këtë komunitet për shkak të lejes së ndërtimit në sheshin para Parlamentit, tokë e cila i përket këtij komuniteti dhe ku parashikohet të ndërtohet një xhami e re. Bashkia e Tiranës, ku Rama është kryetar, ka dy vjet që nuk i miraton Komunitetit Mysliman kërkesën për të ndërtuar një xhami të madhe, duke e zvarritur këtë çështje dhe duke nxitur komunitetin që t’i bëjë disa herë thirrje publike Ramës që të japë lejen. Kjo duket se mund të jetë një arsye, ndërsa nuk dihet nëse Rama e ka bërë këtë diferencim për arsye të tjera që kanë të bëjnë me preferencat e tij fetare. Ndërkohë, dje ai ishte në qytetin e Shkodrës nga ku përcolli mesazhin e tij për Krishtlindje. Siç bën të ditur zyra e shtypit pranë tij, nga Kisha Ortodokse Shqiptare, Rama ua referoi mesazhin veçanërisht të sëmurëve dhe njerëzve të tjerë në nevojë. “Dua t'u uroj shërim të shpejtë të gjithë atyre që janë të pamundur. Dua t'u uroj shpresë dhe mundësi të gjithë atyre që janë të varfër e të papunë, në një Shqipëri që jeton ditë të vështira dhe ku kemi nevojë të gjithë për një besim të ri, në mënyrë që të bëjmë realitet ëndrrat e fëmijëve, ambiciet e të rinjve, dëshirat e prindërve, lutjet e të moshuarve. Gëzuar të gjithëve dhe sa më shumë fat", - tha Rama.