Ulet kontributi i sigurimeve shoqërore
Punëdhënësit do të paguajnë vetëm 13.8% të pagës
Mbetet i njëjtë kontributi i punëtorëve, 10%
Një tjetër nismë, me qëllim uljen e punës së zezë në sektorin privat, është ndërmarrë dje nga Këshilli i Ministrave, që ka propozuar uljen e kontributeve të sigurimeve shoqërore. Në mbledhjen e qeverisë u miratua propozimi i projektligjit që ul kontributin e punëdhënësve nga 17.5 për qind e pagës së punëtorëve në 13.8 për qind. Ndërkohë që mbetet e njëjtë, 10 për qind, kontributi i punëmarrësve. Projektligji i ka kaluar tashmë Parlamentit dhe do të pritet vendimi i tij për t’u kthyer në ligj.
Projektligji
Projektligji i miratuar dje parashikon uljen e kontributit për punëdhënësit, sidomos për sa i përket sigurimit të sëmundjeve dhe sigurimit të barrëlindjes, të cilat shkojnë në 0.3 për qind dhe 1.4 për qind, nga 0.8 dhe 2.3 për qind që ishin përkatësisht. Ndërkohë, sigurimi për pensione do të ulet në total nga 23.9 për qind në 21.6 për qind, nëse projektligji i propozuar nga qeveria kthehet në akt ligjor nga Kuvendi.
Një ulje tjetër ndodh edhe për sigurimet për sëmundjet profesionale dhe aksidentet në punë, për të cilat fillimisht Kryeministri kishte propozuar të rriten. Projektligji e ul këtë kontribut nga 0.5 për qind të pagës bruto në 0.3 për qind. Ndërkohë sigurimi për papunësinë do të ulet nga 2 për qind në 0.9 për qind. Dy llojet e fundit të sigurimit paguhen drejtpërdrejt nga punëdhënësi, ndërkohë që pjesa tjetër paguhet nga punëdhënësi dhe punëmarrësi. Nga ky ndryshim në total, do të mbahet 23.8 për qind e pagës bruto të punëmarrësit, prej të cilave 10 për qind do paguhen nga vetë ai, ndërkohë pjesa tjetër nga punëdhënësi. Në bazë të ligjeve aktuale, punëmarrësit i mbahet nga paga edhe 10 për qind taksë mbi të ardhurat.
Ligji për sigurimet shoqërore është miratuar për herë të parë në vitin 1991, duke pasur kontribute shumë të larta në atë kohë, që në total shkonin 35 për qind e pagës, prej të cilave 26 paguheshin nga punëdhënësi. Ndryshimi më i madh është kryer me mendimin e ligjit në vitin 2006, ku kontributi që paguan punëdhënësi u ul në 17.5 për qind, për t’u ulur sërish me këtë projektligj në 13.8 për qind.
Ndryshojnë edhe procedurat
Ndërkohë projektligji parashikon edhe ndryshime në procedurat e punës. Në këtë mënyrë, sipas propozimit të qeverisë, do të jenë Tatim-Taksat ato që do të mbajnë përgjegjësi për mbikëqyrjen e situatës së punës dhe do të informohen nga ana e punëdhënësit, në ndryshim nga më parë, kur këtë rol e ka luajtur dega përkatëse e Institutit të Sigurimeve Shoqërore.
“Punëdhënësi dhe i vetëpunësuari janë të detyruar të regjistrojnë në regjistrin vjetor të gjithë të punësuarit; të njoftojnë në organet tatimore për ndryshimet dhe lëvizjen e punonjësve, sipas procedurave të përcaktuara me ligj; të bëjnë sigurimin nga dita e parë, kur i punësuari fillon punë; të dorëzojnë në organet tatimore dokumentacionin, ku evidentohen paga dhe kontributi për çdo të punësuar, sipas formatit dhe afateve të përcaktuara me ligj”, – përcakton projektligji.
Ndërkohë në projektligj është përcaktuar edhe roli i Qendrës Kombëtare të Regjistrimit, e cila së bashku me strukturat tatimore do të jenë vendet e regjistrimit të biznesit të ri. Ky ndryshim ishte i nevojshëm pas krijimit të QKR-së, si institucioni ku regjistrohen bizneset.