E Shtunë, 31 Tetor 2026

Emigrimi sezonal, Italia hap dyert për 4.500 emigrantë shqiptarë

Në jehonën e marrëveshjes së re të emigrimit mes Shqipërisë dhe Italisë, qindra shqiptarë do të kenë mundësi të emigrojnë drejt vendit fqinj për t’u punësuar gjatë muajve të parë të vitit të ardhshëm. Kjo, pasi Italia ka miratuar dy ditë më parë një dekret të ri që u mundëson emigrimin sezonal 4 mijë e 500 punëtorëve shqiptarë. Gjithsesi, procedurat që do të ndiqen për këtë dekret do të jenë procedurat e vjetra, pasi ende nuk ka hyrë në fuqi marrëveshja e re.

Dekreti

Faqja zyrtare e Bashkisë së Torinos lajmëroi se dekreti për fluksin e emigrantëve është nënshkruar dhe se me anë të tij do të mund të hyjnë 150 mijë emigrantë të rinj. “Kryeministri italian firmosi dekretin e flukseve për vitin 2008, i cili hap dritën jeshile për hyrjen e 150 mijë punëtorëve të huaj jokomunitarë në Itali. Në shpërndarjen e kuotave nëpër provincat italiane, Ministria e Punës dhe e Solidaritetit Social do të bazohet në kërkesat e bëra në dekretin e mëparshëm të flukseve, gjatë të cilit u prezantuan kërkesa deri në datë 31 maj 2008, pra nuk do të mund të bëhen kërkesa të reja, por do të përzgjidhen sipas disa kritereve vetëm kërkesat e bëra pra datës limit të dekretit të mëparshëm”, - bën të ditur njoftimi.

Në total 44 mijë e 600 kuota janë rezervuar për një listë të përcaktuar vendesh, të cilën e kryeson Egjipti dhe Moldavia me 8 mijë dhe 6 mijë e 500 vende secila, e pasuar nga Filipinet me 5 mijë vende dhe Shqipëria me 4 mijë e 500 vende. “Ndërsa 105.400 kuotat e tjera do të mund të përdoren nga ata punëdhënës, italianë dhe të huaj me kartë qëndrimi (Carta di soggiorno), të cilët kanë bërë kërkesë për punë shtëpiake dhe për kurse ndaj familjarëve të tyre para datës 31 maj 2008. Punëtorët në këtë rast mund të hyjnë nga të gjitha vendet e tjera (Paesi non riservatari)”, – bën të ditur Bashkia e Torinos.

Formularët

Ky dekret vjen si plotësim i vendimit të mëparshëm të qeverisë italiane, i cili përcaktonte pesëdhjetë mijë punëtorë sezonalë ekstrakomunitarë. Më 15 shkurt 2008, Këshilli i Ministrave në Itali kishte parashikuar numrin paraprak të punëtorëve sezonalë, por kërkesat e punëdhënësve italianë, tejkalonin shifrën e dhënë nga shteti. Për këtë arsye ditën e djeshme, Këshilli i Ministrave vendosi ta shtojë numrin, duke qenë se kjo periudhë është edhe piku i aktivitetit bujqësor dhe të turistik. Edhe këtë vit, deri sa të hyjë në fuqi marrëveshja e re Shqipëri-Itali, punëdhënësit italianë, ose të huaj me të drejtë banimi në Itali duhet të plotësojnë një formular të posaçëm në zyrën e emigracionit. Gjithashtu, ata mund të depozitojnë kërkesën e tyre në organizatën e bujqësisë, ose në atë të turizmit, të cilat kanë lidhje të drejtpërdrejtë me Ministrinë e Brendshme të Italisë. Punëtori në rastin në fjalë mund të jetë nga të gjitha vendet jokomunitare, përfshi këtu edhe Shqipërinë. Ndoshta këto politika do të përmirësojnë problemet, të cilat hasin qytetarët shqiptarë për të marrë një vizë drejt (ish tashmë) tokës së premtuar.

Marrëveshja e re

Por në datën 2 dhjetor Shqipëria dhe Italia nënshkruan një marrëveshje të re për emigracionin, që i thjeshton akoma më shumë procedurat. Procedurat e emigrimit sezonal, deri më tani ishin të drejtpërdrejta me Italinë. Në këtë mënyrë, duhej që një emigrant të gjente punë në Itali, e më pas të aplikonte për lejen e posaçme të qëndrimit dhe të punës, nëpërmjet postës ose internetit. Puna e ofruar nga bizneset italiane ishte nominale dhe punëdhënësi duhej të shprehej nëse ishte pro apo kundër kandidatit për të punësuar.

Me anë të marrëveshjes së re, Shqipëria do të përfitojë, sipas burimeve nga Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta. Kjo, pasi qeveria italiane do të përcaktojë numrin e punonjësve sezonalë që do të vijnë nga Shqipëria, e më pas ky numër do të menaxhohet nga zyrat e punës në mbarë vendin. Këto zyra, së bashku me sportelet e emigracionit që janë çelur tashmë, do të merren me trajnimin profesional të të papunëve që janë të interesuar.

Një kandidat që dëshiron të shkojë në Itali, do të duhet të aplikojë paraprakisht në zyrat e punës. Ai duhet të jetë i regjistruar ndërkaq si i papunë dhe të përfitojë këtë status. Pas aplikimit, ai do të duhet të paraqesë formimin e tij profesional, pra për çfarë është i specializuar dhe nga cili institucion. Nëse aplikanti është i specializuar, atëherë ai kualifikohet për përzgjedhjen finale.

Në të kundërt, zyrat e punës do të zhvillojnë kurse falas kualifikimi, në të cilat do të trajnojnë të papunët për profesione të veçanta. Me përfundimin e këtyre kurseve, ata do të marrin një certifikatë të njohur nga shteti shqiptar dhe ai italian, me anë të së cilës do të mund të kalojnë në fazën e fundit të përzgjedhjes, për ato profesione që kërkohen për punëtorët sezonalë në Itali.

Lista e vendeve “të rezervuara”

Egjipti, 8.000 punëtorë

Moldavia, 6.500 punëtorë

Filipinet, 5..000 punëtorë

Shqipëria, 4.500 punëtorë

Maroku, 4.500 punëtorë

Tunizia, 4.000 punëtorë

Sri Lanka, 3.500 punëtorë

Bangladeshi, 3.000 punëtorë

Nigeria, 1.500 punëtorë

Algjeria, 1.000 punëtorë

Gana, 1.000 punëtorë

Senegali, 1.000 punëtorë

Somalia, 100 punëtorë

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›