E Diel, 1 Nëntor 2026

Asnjë i dyshuar për vrasjen e emigrantit nga Berati

Asnjë i dyshuar si autori i krimit për vrasjen e 28-vjeçarit nga Ura Vajgurore, Erjon Shuka, nga ana e policisë së Beratit. Policia e Beratit ende nuk ka dhënë ndonjë informacion zyrtar në lidhje me motivet e krimit. Sipas burimeve, agjentët kanë shoqëruar disa persona që janë marrë në pyetje rreth ngjarjes, por ende nuk janë bërë publikë emrat e të dyshuarve si autorë të krimit.

Nga familjarët është kërkuar që të gjenden autorët e ngjarjes dhe të vihen përpara drejtësisë. Viktima u përcoll dje për në banesën fundit.

Sipas të afërmve të 28-vjeçarit, ai nuk kishte asnjë konflikt me askënd, ishte një djalë i rregullt, që punonte në emigracion dhe vetëm pak ditë para ngjarjes ishte kthyer nga Greqia. Ai ishte kthyer nga Greqia për të kaluar pushimet e fundvitit në Shqipëri, por u gjet i masakruar në një arë të pambjellë në afërsi të fshatit Moravë pranë Urës Vajgurore. Kufoma u gjet nga një banor i fshatit, i cili më pas ka njoftuar menjëherë uniformat blu të qytetit të Kuçovës. Policia është duke hetuar për vrasësin apo vrasësit e të riut, ndërkohë që familjarët shprehen se djali i tyre nuk kishte konflikt me askënd dhe se ishte emigrant i rregullt në Greqi. Trupi i pajetë dhe i masakruar i të riut Erion Shuka është gjetur në orët e para të mëngjesit të djeshëm nga një kalimtar i rastit, i cili ka shtangur kur pa një trup të gjakosur, të zhveshur dhe të hedhur në anë të lumit Osum. I është afruar për ta parë nëse e njihte viktimën dhe duke parë gjendjen në të cilën ndodhej kufoma e pajetë, e masakruar dhe me rrobat e hedhura disa metra më tutje, ka lajmëruar menjëherë policinë. Kufoma u gjet e masakruar. Më parë vrasësit e kanë qëlluar në pjesë të ndryshme të trupit dhe më pas e kanë qëlluar me armë zjarri. Vetëm 2 metra larg kufomës së pajetë, nga policia janë gjetur rrobat e trupit të të vrarit Erion Shuka, një bluzë trikotazh ngjyrë kafe dhe pak më larg një xhup po ngjyrë kafe. Në xhepin e brendshëm të xhupit është gjetur një telefon celular tip "Samsung" me ngjyrë të zezë, brenda të cilit ka qenë e paaktivizuar një kartë telefonike greke. Gjatë ekzaminimit të kufomës rezulton se personi mund të jetë vrarë pas mesnatës së datës 05.12.2008. Kjo bazohet edhe nga të dhënat e të afërmve të viktimës, prej të cilëve është mësuar se 28-vjeçari atë natë nuk ishte kthyer në shtëpi.

Duke u bazuar tek të dhënat e të afërmve, se nga emigrimi 28-vjeçari kishte pak kohë që ishte kthyer, policia po heton në pistën e grabitjes së viktimës nga persona të tjerë, të cilët pasi e kanë vjedhur, e kanë zhveshur, masakruar dhe më pas e kanë vrarë me armë zjarri. Ndërsa nga dëshmitarët në vendin e ngjarjes bëhet e ditur se ndoshta vrasja e Shukës ka ardhur si pasojë e ndonjë konflikti të mundshëm të lindur ditët e fundit, arsyet e të cilit nuk bëhen të ditura, pasi janë ende në fazën fillestare të hetimit. Hetuesit po punojnë për zbardhjen e ngjarjes.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›