E Shtunë, 31 Tetor 2026

Part-time, një e treta e pranimeve për ata që kanë mbaruar një fakultet

Regjistrimet për të gjithë ata që duan të vazhdojnë një shkollë me kohë të pjesshme do të nisin nesër, ndërkohë që për Fakultetin e Drejtësisë regjistrimet do të zhvillohen në godinën e vjetër, ku është pezulluar mësimi. Lajmi konfirmohet nga burime pranë Universitetit të Tiranës, të cilat bën me dije se edhe për part-time në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, regjistrimi do të bëhet në ndërtesën e vjetër. Sakaq, për pranimet në universitete, 2 të tretat e studentëve do të pranohen nga ata që kanë përfunduar shkollën e mesme, ndërkohë që një e treta është rezervuar për të diplomuarit e shkollave të larta, që dëshirojnë të vazhdojnë një shkollë të dytë.

Part-time

Sistemi me kohë të pjesshme është miratuar pak ditë më parë nga Këshilli i Ministrave dhe u detajua në udhëzimin përkatës të ministrit të Arsimit, z. Fatos Beja. Në të përcaktohen datat dhe tarifat e konkurrimit, të cilat variojnë nga 40 mijë lekë të reja, deri në 93 mijë e 600 lekë të reja për Fakultetin e Drejtësisë.

Udhëzimi i ministrit Beja përcakton se regjistrimi duhet të përfundojë më 15 dhjetor. Në këtë mënyrë, ai do të nisë në datë 8 nëntor, ditën e martë, pasi dita e hënë është pushim zyrtar, për shkak të festës së Bajramit. Ndërkohë që më 15 dhjetor do të shpallen fituesit. Regjistrimi i kandidatëve në programet e studimit me kohë të pjesshme ku janë shpallur fitues zhvillohet nga data 15.12.2008 deri në datën 19.12.2008, prej orës 08:00 deri në orën 16:00, pranë sekretarive mësimore të njësive kryesore të Institucioneve Publike të Arsimit të Lartë.

Regjistrimet

Dokumentet e nevojshme të pranimit që janë detajuar me udhëzimin përkatës së ministrit të Arsimit, z. Fatos Beja, janë: diploma e shkollës së mesme; certifikatë personale me fotografi; 2 fotografi dhe mandati i arkëtimit të tarifës së regjistrimit.

"Në qoftë se kandidati fitues nuk ka dëftesë pjekurie origjinale, siç përcaktohet në pikën 4/a të Udhëzimit, duhet të paraqesë dublikat të dëftesës së pjekurisë, të lëshuar nga drejtoria e shkollës së mesme dhe të vërtetuar në Drejtorinë Arsimore Rajonale/ Zyra Arsimore përkatëse", – përcaktohet në udhëzimin e ministrit Beja, ndërkohë që për ata që dëshirojë të vijojnë një shkollë të dytë do të duhet të dorëzojnë në fakultet diplomën universitare, ose fotokopje të noterizuar.

Sakaq, rast i veçantë janë kandidatët që do të regjistrohen në programet e studimit të ciklit të parë me kohë të pjesshme në Akademinë e Edukimit Fizik e Sporteve në Tiranë. Përveç dokumentacionit, ata duhet t’i nënshtrohen kritereve të veçanta (konkurseve të pranimit) të vendosura nga ky institucion për pranimet në studimet e ciklit të parë me kohë të pjesshme, të përcaktuara dhe të bëra publike paraprakisht. Udhëzimi përcakton se kriter për pranimin e studentëve do të jetë vetëm pasja e diplomës së shkollës së mesme. Në rast se do të ketë më shumë aplikime sesa është kuota e regjistrimit, atëherë do të jetë nota mesatare e shkollës së mesme, kriteri vendimtar që do të përcaktojë fituesit dhe jofituesit ndër aplikantët e interesuar.

Studimi

Mikrobet e gripit jetojnë më gjatë

Një studim i ri tregon se mikrobet që shkaktojnë të ftohurin e zakonshëm jetojnë më gjatë sesa mendohej më parë. Shkencëtarët thonë se këto mikrobe mund të qëndrojnë të gjalla për disa ditë në dorezat e dyerve e sipërfaqeve të tjera. Studimi i kryer nga shkencëtarë në universitetin e Virxhinias tregon se kur persona me të ftohur ose grip prekin dorezën e derës, ata lënë edhe mikrobe. Në se dikush tjetër jo i sëmurë e prek këtë dorezë, në 90 për qind të rasteve mikrobi kalon në trup. Madje në 50 për qind të rasteve këto mikrobe transmetohen edhe pas 48 orësh. Doktor Filip Tierno pranë universitetit të Nju Jorkut thotë se viruset mund të transmetohen kudo në shtëpi, prandaj për higjienë të mirë shtëpiake ai rekomandon pastrimin shpesh të sipërfaqeve të ndryshme me solucione dezinfektuese. Gjatë studimit u vu re se sipërfaqet më të ndotura në shtëpi janë dorezat e dyerve, pajisjet për kontrollin e televizorit, lodrat dhe rubinetet. Doktor Tierno thotë se larja e duarve para prekjes së fytyrës dhe para ngrënies, mund të eliminojë thuajse plotësisht mundësitë e prekjes nga gripi apo i ftohuri i zakonshëm.

“Zëri i Amerikës”

Kanceri

Ulen rastet e të prekurve gjatë vitit 2008

Një raport vjetor mbi kancerin tregon për herë të parë se rastet e reja me kancer dhe numri i vdekjeve nga kjo sëmundje kanë rënë dukshëm.

Raporti vjetor i shoqatës amerikane kundër kancerit dhe i institutit kombëtar të kancerit sjell lajme të mira. Studimet prej dekadash në laborator dhe këshillat për të përdorur ushqime të shëndetshme, për të kryer ushtrime fizike e për të lënë duhanin duket se po japin rezultat. Doktor Len Ligtenfilld i shoqatës kundër kancerit thotë se është bërë përparim në kërkime, trajtime dhe në zgjimin e vetëdijes së njerëzve mbi shkaqet e kancerit. Në raport vihen në dukje suksese në luftën kundër disa lloj kanceresh të rrezikshme. Për shembull, numri i rasteve të kancerit të gjirit u pakësua 1 presje 3 për qind. Mjekët thonë se kjo ka ardhur si rezultat i pakësimit të përdorimit të terapisë për zëvendësimin e hormoneve për trajtimin e simptomave të menopauzës. Gjithashtu, numri i rasteve të kancerit të zorrës së trashë u ra më shumë se 2 për qind, dhe rastet e kancerit në prostatë u pakësuan 1 për qind. Kjo erdhi kryesisht si rezultat i diagnostimimit të hershëm të kancerit. Raporti zbulon edhe një lidhje interesante të rolit që disa shtete kanë luajtur për pakësimin e rasteve të kancerit mes banorëve të tyre. Për shembull, në Kentaki, ku nuk ka rregulla të rrepta për ndalimin e duhanit, numri i rastet e reja të kancerit të mushkërive është 3 herë më i lartë sesa në Juta, një shtet që shkurajon pirjen e duhanit. Kalifornia lavdërohet në raport sepse numri i rasteve të reja me kancer në mushkëri tani është 75 për qind më i ulët se në shtetet e tjera, kjo për arsye të masave për ndalimin e duhanit në mjedise të mbyllura publike, për rritjen e taksave të blerjes së të cigareve dhe zbatimin e programe edukative mbi rreziqet që sjell pirja e duhanit. Në raport thuhet se numri i vdekjeve nga kanceri i prostatës ra 4 për qind; numri i vdekjeve nga kanceri i zorrës së trashë ra 2.5 për qind dhe numri i vdekjeve të shkaktuara nga kanceri i gjirit u pakësua 2 për qind. Ekspertët thonë se për të gjitha këto, duket se rol kryesor kanë luajtur barnat dhe mënyrat e reja të diagnostikimeve dhe trajtimet.

“Zëri i Amerikës”

Kurban Bajrami

Presidenti uron besimtarët

Presidenti Topi ka uruar dje të gjithë besimtarët myslimanë me rastin e festës së Kurban Bajramit. “Ju uroj përzemërsisht festën e madhe të Kurban Bajramit. Uroj që kjo ditë e sakrificës dhe e ngadhënjimit të devotshmërisë ndaj egoizmit t’ju ketë gjetur më të bindur në ndjenjat e solidaritetit njerëzor, më të devotshëm, më të përkushtuar për të punuar për të ardhmen e familjeve tuaja dhe të atdheut tonë. Në këtë ditë të obligimit e të sakrificës le të tregojmë më shumë vëmendje për personat më në nevojë dhe të forcojmë vlerat më humane të unitetit, tolerancës, forcës, vëllazërimit dhe bashkëjetesës, cilësi të çmuara të popullit tonë. Në këtë ditë të shënuar të kalendarit islam uroj që paqja, begatia dhe prosperiteti të ndriçojnë të gjithë shqiptarët, kudo që jetojnë e punojnë”, – deklaroi Presidenti.

Elbasan

Përkujtohet revolta e myslimanëve ndaj komunizmit

Besimtarët myslimanë të Elbasanit përkujtuan dje paradite protestën e 7 dhjetorit të vitit 1990, para xhamisë së Nazireshës në këtë qytet, për rikthimin e lirisë së besimit fetar të ndaluar me ligj nga diktatura komuniste në vitin 1967. Në këtë përvjetor të 18 ishin të pranishëm qindra besimtarë myslimanë dhe nga komunitete të tjera fetare, por edhe përfaqësues të pushtetit vendor dhe të forcave politike. Në nderim të kësaj dite u vendos dhe një pllakë përkujtimore në sheshin para xhamisë së Nazireshës. Në fjalën përshëndetëse Agim Dionisi, pjesëmarrës në protestën e 18 viteve më parë, vlerësoi rolin e klerikëve që mbajtën gjallë besimin edhe në kohën e diktaturës. Ai vlerësoi rolin e tyre edhe në përmbysjen e sistemit komunist. Protesta e organizuar nga besimtarët myslimanë të Elbasanit në fillim të dhjetorit të vitit 1990 u cilësua nga Myftiu i Elbasanit, Agim Duka, si shkëndija që u dha zemër të gjithë shqiptarëve anë e kënd vendit për të nxitur protestat e fuqishme antikomuniste që përshinë më pas të gjithë Shqipërinë. Hapja e xhamisë së Nazireshës në 7 dhjetor 1990 dhe më pas e kishës “Shën Maria” në lagjen “Kala” shënoi dhe rikthimin e lirisë së ushtrimit të besimeve fetare jo vetëm në Elbasan, por në gjithë vendin. Gjatë kësaj ceremonie përshëndeti dhe prifti At Nikolla Marku, deputeti i Elbasanit Aurel Bylykbashi etj.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›