Në pranga autori i vrasjes së 53-vjeçarit
Policia e Korçës ka vënë në pranga një 21-vjeçar, i cili dyshohet si autori i vrasjes së shtetasit Ferhat Zenuni. Në prangat e uniformave blu ka rënë Zalo Zite, pas hetimeve të kryera nga ana e hetuesve. Sipas agjentëve, 53-vjeçari nga fshati Rehovë i Korçës, i cili u gjet i vdekur ditën e shtunë në shtëpinë e tij, është vrarë dhe nuk ka pësuar vdekje aksidentale. Ky ka qenë përfundimi pas ekspertizës mjeko-ligjore që u krye. Kjo ka vënë në lëvizje blutë e qytetit të Korçës, për gjetjen e vrasësit të Ferhat Zenunit. Pas marrjes në pyetje të të dyshuarve, policia i ka vënë prangat 21-vjeçarit, bashkëfshatar të viktimës, si autor të vrasjes. Gjatë marrjes në pyetje, i riu nuk ka treguar ende arsyet e vrasjes. 53-vjeçari Zenuni, banor i fshatit Rehovë të Korçës, u gjet i vdekur të shtunën në mesditë, i përgjakur në fytyrë dhe pjesë të tjera të trupit në banesën e tij. Nga policia lokale mësohet se 53-vjeçari Ferat Zenuni jetonte i vetëm pas divorcit të kryer pak kohë më parë me bashkëshorten dhe fëmijët që jetonin në një tjetër shtëpi në po këtë fshat. Kufoma u gjet rreth orës 14:45 të ditës së djeshme në shtëpinë e tij në fshatin Rehovë, nga një i afër i tij. Ai ishte i shtrirë në korridorin e shtëpisë, i përgjakur në fytyrë, si dhe me njolla gjaku të tjera në të. Hetuesit mendonin fillimisht se ka qenë një vdekje aksidentale e viktimës pas humbjes së një ekuilibri të mundshëm, duke bërë që ai të përplaset me një kornizë anësore druri në dysheme. Më pas ai është zhvendosur përsëri deri në afërsi të derës kryesore të shtëpisë, por ka pësuar një tjetër përplasje. Por pista tjetër ka qenë ajo e një vrasjeje të qëllimshme për motive të panjohura. Ka qenë autopsia mjeko-ligjore, e cila zbardhi të vërtetën për këtë ngjarje dhe çoi në arrestimin nga ana e policisë të 21-vjeçarit.