E Shtunë, 31 Tetor 2026

Emili Blant, ylli i ri i kinemasë

Zakonisht aktorëve të Hollivudit u pëlqen të theksojnë vazhdimisht faktin se janë tmerrësisht të zënë me punë dhe sa e dhimbshme është për jetën e tyre të kenë kaq pak kohë në dispozicion. Emili Blant, 26 vjeçe, bashkë me qetësinë, rrezaton edhe gëzim e bukuri. Ajo tregon se puna është diçka që e argëton shumë. Ekrani i madh i pëlqen më shumë se gjithçka. Vetëm në këto tre muajt e fundit në SHBA dhe Britaninë e Madhe kanë dalë tre filma ku ajo është protagoniste. Një tjetër film do të jetë në sallat e kinemasë brenda fundit të vitit; dy të tjerë janë në përfundim e sipër dhe në tre të tjerë akoma do të ndihet prezenca e saj. Me pak fjalë, të gjithë e duan. "Le të jemi të ndershëm, kjo punë është luks. Të lejon të kesh sa kohë të duash në dispozicion. Sfidoj çdo kolege që mohon se ky aspekt është një nga më tërheqësit e punës sonë". Mund të jetë e vërtetë, por për momentin londinezja Emili Blant është një nga aktoret më të kërkuara. Ajo interpreton në komedinë "e ëmbël", "Sunshine Cleaning", përkrah një tjetër të reje premtuese për kinemanë, Ami Adams, por mbi të gjitha është protagonistja e dramës historiko-biografike, "The Young Victoria", të francezit Zhark-Mark Valle, që tregon për vitet e para të mbretërimit të Mbretëreshës Viktoria, monarkia më "e trajtuar" në teatrin dhe kinemanë britanike. Viktoria, nën interpretimin e Blant, është një sovrane e re, me një vitalitet të pazakontë, njëlloj si austro-hungarezja Sisi, që interpretohet nga Romi Shnajder. Blant tregon se është bërë aktore rastësisht. Në moshën 16-vjeçare, e ëma mësuese dhe i ati avokat, e regjistruan në shkollën prestigjioze "Hurwood House". Që aty nisi, thuajse me shaka, kurset e aktrimit. Mësuesja ishte e para që e vuri re talentin e saj. Pjesa e tjetër është njëlloj si skenari i ndonjë komedie hollivudiane: një menaxher e pa në skenën e shkollës dhe i propozoi menjëherë dy punët e para, që në të vërtetë ishin role të mira për një fillestare: një pjesë në filmin "Henriku VIII" dhe një në serinë televizive "Foyle‘s War", dy drama tradicionale angleze. Dhe do të kishte vazhduar kështu, nëse ajo vetë nuk do të kërkonte të bënte diçka më argëtuese: atë të vajzës së keqe dhe tërheqëse. Provën e parë në këtë rol e ka dhënë në 2004-ën, në dramën e vlerësuar me shumë çmime të Pawel Pawilikowsky, "My summer of love", ku luan në rolin e Tasmin që, për mërzitje më shumë se për pasion, nisi një histori dashurie me pasoja të rënda, me vajzën e një punëtori. Një rol që mjaftoi për t‘i dhënë spektatorit idenë e "së keqes me fytyrë engjëlli". Aq sa menjëherë pas kësaj pati një numër të madh ofertash për të interpretuar atë tip personazhi. Nga "Djalli vishet me Prada", te mësuesja qaramane dhe e pakëndshme te "Klubi i Jane Austen". "I dua karakteret që nuk janë linearë dhe të parashikueshëm. Karaktere që reflektojnë natyrën njerëzore", thotë Emili. Mes kritikëve thonë se Emili Blant është trashëgimtarja ideale dhe e vërtetë e Meril Stript, aktualisht numri një në kinema. Edhe Strip nuk e mohon, madje thotë se në karrierën e saj i kishte ndodhur të punonte me një aktore të re kaq të talentuar. Edhe Blant pranon se falë këtyre fjalëve të thëna nga Strip, "i kam gjetur të gjitha portat e hapura. Menjëherë nisën të më kontaktojnë agjentë dhe regjisorë". Nga sekretarja mahnitëse në "Djalli vishet me Prada", te veshjet tradicionale dhe të dhimbshme të përdorura për filmin e saj të ri, Emili Blant tregon zgjuarsisë e atyre që me të vërtetë duan të arrijnë majat e karrierës. "Ato veshje ishin shumë të vështira për t‘u mbajtur veshur. Të merrnin frymën. Por ishte e vështirë ta bindje kostumografin që të mund t‘i lironin paksa korsetë në pjesën e sipërme", tregon ajo. Më pas shton: "Ajo e epokës viktoriane ishte një modë çnjerëzore. Për më tepër, nuk më pëlqen fiksimi që kishin gratë për dorashkat në atë kohë. Edhe kur harroja t‘i vishja gjatë xhirimeve, regjisori duhej të përsëriste skenën". Përkrah saj, në rolin e princit Albert është djaloshi i ri dhe i talentuar, Rupet Frend, që ka interpretuar përkrah Kiera Najtlit në "Krenari dhe paragjykim", për më tepër edhe i dashuri i saj. Sheshi i xhirimit të këtij filmi ishte shumë i pasur me prezenca të çuditshme: Martin Skorceze dhe Sarah Ferguson, dukesha e Jorkut, interpretojnë një pjesë të vogël, madje janë edhe bashkëproducentë të filmit. Princesha Beatriçe, vajza e Fergusonit, shfaqet vetëm në skenën e kurorëzimit të mbretëreshës. "Miqësia me Beatriçen ishte surpriza më e këndshme e këtyre xhirimeve të lodhshme", tregon Blant. Filmi është xhiruar në pjesë të ndryshme të Mbretërisë së Bashkuar dhe ka kushtuar vërtet shumë për një film anglez. Një përgjegjësi më shumë për Blant. "Ka pasur edhe skena të frikshme. Kostumografët ishin të fiksuar pas parukës sime. Gjatë çdo pushimi më asfiksonin me llakun që më hidhnin. Në një farë pike edhe Skorceze nisi të bërtasë, pasi e pa që u stresova me të vërtetë shumë". Në të kaluarën, dy aktore të mëdha, si Xhudi Denç dhe Kejt Blanshet, u kishin dhënë "frymë" mbretëreshave Viktoria dhe Elizabet me role që i bënë të dyja të fitonin çmime prestigjioze. Por çfarë pret Emili Blant nga "Mbretëresha Viktoria"? Ngre shpatullat. "Preferoj të qëndroj me këmbë në kokë". Vogëlushja Emili nuk i ëndërronte kurrë mbretëreshat? "Jo, ishte një fëmijë që më tepër urrente ngjyrën e kuqe dhe nuk kishte ëndërr të martohej me princin e kaltër". Në fund të vitit do ta shohim me Benicio del Toro në "The golf man", të Xho Xhonsonit, pastaj si princeshë në "Udhëtimet e Guliverit" të Rob Letermanit, pastaj akoma në "The Girl" të David Riker. "Më pëlqen të punoj. Shpresoj vetëm që të mos më duhet të heq dorë nga pushimet e mia", përfundon bukuroshja Emili.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›