E Shtunë, 31 Tetor 2026

Emiljan Vila nënshkruan me Dinamon e Zagrebit

Tiranë- Mesfushori durrsak i Teutës, Emilian Vila është zyrtarisht lojtar i Dinamos së Zagrebit. Ish-mesfushori ka zgjedhur kampionët e Kroacisë si skuadrën ku do të vazhdojë karrieren dhe pas akordit parimor, ai hodhi sot firmën në kontratë. Lajmi është bërë i ditur nga faqja elektronike e klubit kroat, që thekson se talenti 21-vjeçar është rekomanduar nga trajneri i Kombëtares shqiptare, Josip Kuzhe dhe nga asistenti i tij në stolin kuqezi, Xhemal Mustedanagiç.

Ky i fundit punon edhe si zbulues talentesh për klubin e mirenjohur kroat, që këtë vit do të luajë në turin e dytë eliminator të Ligës së Kampioneve. “Mesfushori Emilian Vila firmosi kontratën dhe kjo e bën zyrtarisht lojtar të Dinamos së Zagrebit. Së fundmi, futbollisti i lindur në vitin 1988 ka debutuar me Kombëtaren e Shqipërisë, ndërsa më parë ai ka luajtur rregullisht me përfaqësueset e moshave”, theksonte deklarata për shtyp e klubit nga Zagrebi.

Vetë Emiljano Vila u shpreh se, “Dinamo e Zagrebit është një universitet talentesh, një klub nga kanë dalë futbollistë të famshëm dhe besoj se do të jem edhe unë një i tillë”. Për Vilën, i cili i shënoi një gol Milanit në miqësoren 3-3 në ndeshjen me Shqipërinë në 12 maj në stadiumin “Qemal Stafa”, që debutoi zyrtarisht në miqësoren e barazuar 1-1me Gjeorgjinë më 10 qershor, ka shprehur lëvdatat edhe ish-trajneri Kombëtares shqiptare, kroati Oto Bariç.

Vila shënoi 14 gola sezonin e kaluar në 25 ndeshje me Teutën, duke ndihmuar skuadrën që të renditej në vendin e katërt në kampionatin shqiptar, ku spikasin tre dopjeta. Vitin e kaluar, shumë pranë kalimit tek Dinamo e Zagrebit ishte edhe Jahmir Hyka, një tjetër talent i madh i futbollit tonë, por 20-vjeçari më pas nënshkroi në Gjermani për Mainc 05 të Bundesligës 2, e ngjitur në Bundesliga 1.

Dinamo Zagreb është klubi më i famshëm në Kroaci. Nga shpallja e Pavarësisë, që përkon me sezonin 1992-1993 dhe deri tek i fundit, 2008-2009, është shpallur 11 herë kampion i Kroacisë. Në ish-Jugosllavi e ka fituar katër kampionatin jugosllav. Ka fituar Kupën Ballkanike në vitin 1977. Trajneri aktual është Krunoslav Jurçiç.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›