Vila firmos për Dinamon e ZagrebitOto Bariç: “Ka bërë një blerje të mirë, në Shqipëri ka lojtarë të të talentuar”. Transferimi u realizua më ndihmën e trajnerit të Kombëtares, Kuzhe

“Një sulmues i ri te Dinamo, nuk është Emanuel Adebajor (Arsenal) dhe as David Vija (Valencia), por Emiljano Vila”. Kështu shkruan një nga gazetat më prestigjioze në Kroaci, Jutarni List, për blerjen e sulmuesit 21-vjeçar të Teutës dhe ekipit Kombëtar shqiptar, Emiljano Vila, i cili nga dita e premte është zyrtarisht lojtar i një prej klubeve më të famshëm në Ballkan, Dinamos së Zagrebit, kampione në fuqi e Kroacisë dhe do të jetë nën urdhrat e trajnerit Krune Jurçiç.
Transferimi i Vilës në kampionatin kroat është punë e pastër e trajnerit të ekipit Kombëtar shqiptar, Josip Kuzhe dhe ndihmësit të tij, Xhemal Mustedanagiç (skauter tipik), të cilët në mënyrë publike e kanë vlerësuar durrsakun, sidomos pas ndeshjes miqësore me Gjeorgjinë, pas së cilës Kuzhe e mbivlerësoi lojën e sulmuesit. Rekomandimi për blerjen e Vilës erdhi pas rekomandimit me nota pozitive të Josoip Kuzhes, ky i fundit ka qenë trajner i Dinamos së Zagrebit, madje e ka nxjerrë kampione të Kroacisë në sezonin 2005-2006.
Por, në union me Kuzhen, sipas jutarnilist.hr, është dhe ish-trajneri i Kombëtares, Oto Bariç. “Në Shqipëri ka lojtarë të të rinj të talentuar. Arma më e madhe e Vilës është shpejtësia, mendoj se Dinamo ka bërë një blerje të mirë dhe do të përfitojë me angazhimin e tij”, - citohet Bariç, që ka fituar titullin me këtë skuadër në sezonin 1996-1997.
Vetë Emiljano Vila, i cili nga mediat kroate konsiderohet si “(Tomislav) Barbariç i ri” u shpreh: “Dinamo e Zagrebit është një universitet talentesh. Klub ku kanë dalë futbollistë të famshëm dhe besoj se do të jem edhe unë një i tillë”.
Për momentin nuk janë bërë publike detajet financiare të kontratës. “Të premten, më 19 qershor, në sallën e klubit nga “MAKSIMIRSKOG”, lojtari Emiliano Vila vendosi nënshkrimin e tij në kontratë, duke u bërë kështu një lojtar i FC Dinamo. Emiliano Vila, është lindur në vitin 1988. Kohët e fundit është bërë pjesë e ekipit Kombëtar shqiptar. Lojtari luan në pozicionin e mesfushës sulmuese”, - thuhej në komunikatën zyrtare të Dinamos së Zagrebit, pjesëmarrëse në Ligën e Kampioneve në sezonin e ardhshëm.
Vila shënoi 14 gola sezonin e kaluar në 25 ndeshje me Teutën, duke ndihmuar skuadrën e tij të renditej në vendin e katërt në kampionatin shqiptar, ku spikasin tre dopjeta. Goli i parë ndërkombëtar i tij me Kombëtaren (B) i përket ndeshjes miqësore Shqipëri-Milan (3-3), ku durrsaku shënoi golin hapës të përfaqësueses, atë 2-1.
Vitin e kaluar, shumë pranë kalimit te Dinamo e Zagrebit ishte edhe Jahmir Hyka, një tjetër talent i madh i futbollit tonë, por 20-vjeçari më pas nënshkroi në Gjermani për Mainc 05 të Bundesligës 2, e tashmë i ngjitur në Bundesliga 1.
Mediat kroate
“Një sulmues i ri te Dinamo, nuk është Emanuel Adebajor dhe as David Vija , por Emiljano Vila”
14 gola
Vila shënoi 14 gola sezonin e kaluar në 25 ndeshje me Teutën, duke ndihmuar skuadrën e tij të renditej në vendin e katërt në kampionatin shqiptar, ku spikasin tre dopjeta
Bariç
Ish-trajneri i Kombëtares, Oto Bariç, një adhurues i lojtarëve të rinj foli me superlativa në mediat kroate. “Në Shqipëri ka lojtarë të rinj të talentuar”
Dinamo Zagreb
Është klubi më i famshëm në Kroaci. Nga shpallja e Pavarësisë, që përkon me sezonin 1992-1993 dhe deri te ky i fundit, 2008-2009, është shpallur 11 herë kampion i Kroacisë. Në ish-Jugosllavi e ka fituar katër kampionatin jugosllav. Ka fituar Kupën Ballkanike në vitin 1977. Trajneri aktual është Krunoslav Jurçiç.
TE TJERET
Lala
Altin Lala, mesfushori 33-vjeçar i Hanover 96 dhe kapiteni i Kombëtares shqiptare, përtëriti kontratën me klubin e tij.
Kapllani
Ish-sulmuesi shqiptar i Karlsruhes, Edmond Kapllani, nënshkroi një kontratë me Augsburgun e Bundesligës 2.
Duro
Ish-mesfushori elbasanas i Omonia Nikosias, Klodian Duro, do të luajë me qipriotët e Ael Limasol sezonin e ardhshëm.
E Premte, 19 Qershor 2009