E Shtunë, 31 Tetor 2026

Eminazeri: Për Pogradecin luaj edhe falas

Nga Gavrosh Papa

Futbollisti kosovar, Isa Eminhazeri, ruan respektin më të madh për tifozët dhe drejtuesit e ekipit liqenor, ku është aktivizuar 3 sezonet e fundit

Pogradeci i sezonit të ri do të ketë ndryshime dhe deri tani nuk ka ndonjë të dhënë se cilët mund të jetë ata që do të qëndrojnë nga grupi i sezonit të fundit. Sulmuesi Isa Eminazeri, shënuesi më i mirë i liqenorëve në Superligë, pa dyshim që ishte një më të mirët në formacionin liqenor.

Ai mbahet mend për golat që i ka shënuar Skënderbeut, Tiranës dhe Teutës, kështu që është edhe më i kërkuari nga futbollistët e Pogradecit. Aktualisht ai ndodhet me pushime në Kosovë, pranë familjes, dhe nuk ka vendosur se ku do të luajë sezonin e ardhshëm.

Sulmuesi ndjen keqardhje për rënien e ekipit liqenor nga Superliga dhe thekson se për Pogradecin mund të luajë falas, duke lënë të nënkuptohet se ruan respektin më të madh për tifozët dhe drejtuesit e tij.

”Që pas përfundimit të kampionatit po pushoj në Kosovë dhe sinqerisht më vjen shumë keq për rënien e Pogradecit në Kategorinë e Parë. Më la një shije shumë të hidhur fakti që ky ekip nuk qëndroi më shumë se një sezon në Superligë.

Nuk më takon mua të gjykoj pse ra ekipi nga Superliga, por e theksoj se, duke luajtur 3 sezone radhazi me të, jam i dëshpëruar që nuk pati sukses në elitë. Pogradeci është dhe do të jetë gjithmonë në zemrën time, veçanërisht tifozët, të cilët më kanë mbështetur dhe më ka inkurajuar në çdo moment.

Nuk mund të lë pa përmendur trajnerin Çekiçi, me të cilin kam pasur një marrëdhënie të veçantë. Falënderoj edhe presidentin Shkëmbi për mbështetjen që më ka dhënë gjatë këtyre tre sezoneve. Kam pasur oferta, madje edhe serioze nga ekipe të Superligës, por ende nuk kam vendosur se ku do të luaj sezonin e ardhshëm.

Sigurisht që më parë dua të flas me drejtuesit e Pogradecit, edhe pse kontrata ime ka përfunduar. Do të jem së shpejti në Pogradec për të folur me drejtuesit dhe do të shoh, nëse ata do të kenë një projekt për Pogradecin e ri.

Pogradeci mbetet zgjedhja ime e parë dhe mund të them se për këtë ekip do të luaja edhe falas. Jam shumë i lidhur me Pogradecin dhe jam gati të sakrifikoj për të me qëllimin e vetëm për ta kthyer në Superligë, – ka theksuar Eminhazeri.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›