E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rikthimi i ishëve, baza e meraktos së Partizanit

Nga ILIR CARA

Një numër i konsiderueshëm ish-futbollistësh janë gati të vishen sërish të kuq, me shpresën e kthimit të legjendës, por më parë kërkojnë siguri financiare

Partizani i sezonit të ri pritet të ndryshojë në çdo aspekt me atë ekip dhe strukturë, që u pa në edicionin e fundit, ku demat e kuq ishin pjesë e Kategorisë së Dytë. Sinoptika në kampin e kuq është optimiste, pasi në krahasim me një vit më parë, gjërat janë në rrugën e duhur dhe pritet që Partizani të mos vuajë problemet e viteve të fundit.

Madje, shpresat janë në ndërtimin e një Partizani kompetitiv, ku synim të vetëm do të ketë rikthimin në elitën e futbollit shqiptar. Këto ditë të para të qershorit shumë gjëra janë sqaruar rreth së ardhmes së Partizanit, pasi Ministria e Mbrojtjes e ka regjistruar shoqërinë e re aksionare në QKR (Qendra Kombëtare e Regjistrimit) dhe pritet që shumë shpejt të mësohet edhe emri i pronarit të ri.

Nga burime të ndryshme, kryesisht pranë klubit, mësohet se kalimi i Partizanit në duart e biznesmenëve amerikanë është çështje e përfunduar, ku pritet vetëm kalimi në etapat e kërkuara.

Sipas lajmeve të mira, që qarkullojnë në kampin e kuq, bëhet e ditur se brenda qershorit do të plotësohet i gjithë dokumentacioni i duhur dhe korriku e gjen Partizanin nën tutelën e amerikanëve.

Merkato Ndonëse te Partizani konsiderohet kohë pushimi, mësohet se drejtuesit e kanë nisur punën për ndërtimin e skuadrës së sezonit të ri. Thuhet se do të ruhet baza e skuadrës që e ngjiti Partizanin në Kategorinë e Parë.

Por ky grup do të pasurohet me të paktën pesë lojtarë me eksperiencë, përforcime të cilat kërkohen në të gjitha repartet, duke nisur nga porta dhe përfunduar te sulmi. Qëllimi kryesor i drejtuesve është rikthimi ish-futbollistëve, të cilët e dinë peshën dhe emocionin që të jep uniforma e kuqe.

Në këtë mes ka përputhje shijesh, pasi edhe vetë ishët kërkojnë të rikthehen me shpresën e ngjitjes së legjendës në elitë. E vetmja kërkesë e tyre është sigurimi i financave, që mendohet se nuk do të jetë problem në sezonin e ri. Për sa i përket portës synohet rikthimi i portierit Dashamir Xhika, i cili para 18 muajsh la Partizanin, duke u transferuar në Lezhë.

Mbrojtësi Indrit Hithi, që u shpall kampion i Kategorisë së Parë me Luftëtarin, me shumë mundësi mund të vishet sërish i kuq. Gjithashtu, fjalë të mira ka edhe rreth rikthimit të disa ishëve, që në sezonin e fundit ishin pjesë e Kamzës.

Sipas cicërimave të merkatos, flitet edhe për një rikthim të mesfushorit Jurgen Agolli, i cili sezonin e mbylli me Kastriotin. Por ajo që ka më shumë rëndësi është përforcimi i repartit të sulmit.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›