Bajrami i ftohur dhe i lodhur

Por, para kësaj përballjeje, ylli kosovar Emir Bajrami, i cili do të jetë futbollisti i vetëm shqiptar në Euro 2012, është ftohur e po ashtu ndihet i lodhur nga faze përgatitore që ka zhvilluar me ekipin suedez.
“Jam ftohur paksa. Kemi nevojë për të fjetur, për të ngrënë dhe për të pirë. Ndiej lodhje në këmbë. Mirëpo, besoj se do të jem gati”, tha Bajrami për të përditshmen suedeze Sport-Expressen.
Mesfushorit të Twentes i ka mbetur merak që nuk u aktivizua fare në ndeshjen miqësore që Suedia e fitoi përballë Serbisë me rezultat të ngushtë 2:1.
“Kam qenë i etur për të luajtur ndaj Serbisë, do të ishte vërtet zbavitëse. Mirëpo, është trajneri ai që vendos”, shtoi mesfushori kosovar, i cili pas Euro 2012 do të vendosë për të ardhmen e tij.
Ai ka kontratë me ekipin holandez edhe dy vite, por ka paralajmëruar se do të largohet nga Twente gjatë kësaj vere. Kosovari ka pranuar se preferon elitën e futbollit italian -Serie A.