E Shtunë, 31 Tetor 2026

Eminem: Kështu arrita të shpëtoj nga droga

Lodhja mendore, shtrimi në spital për pneumoni, tërheqja nga skenat. Gjithçka ishte gënjeshtër, sepse pas gjithë këtyre justifikimeve fshiheshin drogat. Shumë prej tyre. Kjo është edhe tema kryesore e albumit të ri "Relapse" i reperit amerikan që sapo ka dalë në shitje. Në këngën "Deja vu", këngëtari më i kritikuar i Amerikës, me më shumë se 80 milionë disqe të shitura nëpër botë, tregon se "Heath Ledger dhe unë kemi pasur të njëjtën histori". Po sëmundja e pneumonisë? "Ishte thjesht një gënjeshtër", thotë. Hera e fundit e Eminemit në skenë ishte në verën e vitit 2005 në Amerikë, në vigjiljen e një turi evropian, të cilin e anuloi, duke treguar se kishte një lodhje të madhe nervore. Megjithatë, disa ditë më vonë ndryshoi versioni i lajmërimit zyrtar: gazetat shkruan gjithandej se Eminem ndodhet në një klinikë për t‘u dezintoksikuar nga qetësuesit, ilaçet e gjumit dhe disa lloje drogash. Lajmi për tërheqjen nga skena kishte kohë që kishte nisur të qarkullonte. Albumi i fundit i dalë në 2004-ën titullohej "Encore", ndërsa me "Curtain call" në 2005-ën u ul sipari i artistit më të diskutuar të viteve të fundit. Sot Marshall Mathers III, është 36 vjeç. Me fytyrën e imët dhe sytë që shikojnë plot kujdes, është i njëjti djalosh si në vitet e para kur u ngjit në skenë. Flokët e famshëm me ngjyrë të verdhë të ndritshme i kanë lënë vendin një ngjyre natyrale, pak më të errët. Nuk duket aspak i qetë, nuk flet me dëshirë, sepse thotë se nuk i pëlqen shumë të jetë në qendër të vëmendjes, gjë që i solli famën në këto vite triumfesh. "Nuk kam bërë kurrë hip-hop për të qenë i famshëm, nuk ishte ky qëllimi im, por natyrisht që është një pasojë normale e asaj që bëj. Ajo që më bën vërtet të lumtur është muzika. Nëse do të mundja të publikoja vetëm disqe, duke lënë pas dore të tjera gjëra, do ta bëja pa hezitim". "Relapse", albumi i ri, parashikuar për të dalë më 23 dhjetor, nuk do të publikohet para vjeshtës së vitit 2009. Por, që nga fundi i tetorit ka dalë në qarkullim autobiografia e tij me titullin "The way I am", ku vetë Eminem shpjegon arsyet e një heshtjeje kaq të gjatë, që shumë e konsideruan si mbyllje të karrierës së tij. Autobiografia është e mbushur me fotografi dhe shkrime të shkruara me dorë (libri përmban edhe një DVD me imazhe dhe filmime të pabotuara), ku reperi përpiqet të hedhë dritë mbi argumentet më të diskutuara që karakterizuan vitet e ndritura të karrierës së tij.

Kur vendosët që të largoheshit nga skena, arritët ta bënit më së miri këtë. Nuk ju pamë më nëpër festa apo mbrëmjet gala dhe paparacët e patën të vështirë të binin në gjurmët e tua?

Në të vërtetë nuk doja të dilja në pension, por thjesht të largohesha nga skena për t‘u përqendruar me muzikën dhe për të organizuar gjithçka në mendjen time. Me pak fjalë, doja të mendohesha për karrierën time. Nuk kam reshtur kurrë së punuari për atë që më pëlqen. Vazhdoja të shkoja në studion e regjistrimit me artistët e shtëpisë sime diskografike, "Shady records". Kur e kuptova se kisha materiale cilësore, vendosa të publikoja një album.

Në vitin 2006, miku juaj i fëmijërisë, pjesëtari i grupit D12, gjatë gjithë kohës përkrah jush, u vra pikërisht në "8 Mile", rruga e famshme e Detroitit, që ju e bëtë të famshme me filmin me të njëjtën titull, për të cilin fituat një "Oskar" për kolonën zanore më të mirë "Lose Yourself". A ndikoi vdekja e tij në vendimet për karrierën tuaj?

Kisha vendosur që më parë të pushoja, sepse për 7-8 vjet kisha ecur përpara pa asnjë pushim. Por, ajo që ndodhi me mikun tim të ngushtë ishte një goditje e rëndë për mua. Pas kësaj vërtet nuk dija se ç‘të bëja. Viti i parë pas vdekjes së tij ishte vërtet i vështirë. Përveçse këndvështrimit nga pikëpamja personale, pyesja veten se ç‘mund të ndodhte edhe nga pikëpamja profesionale. Kush do të qëndronte përkrah meje në skenë në vendin që dikur rrinte ai? Isha vërtet i shkatërruar.

Në albumin "Relapse", tema kryesore duket se është ajo e drogës, e mendimeve për të kryer krime dhe mënyrat e përdorura për të dalë nga kjo gjendje?

Pija nga 10 deri në 20 kokrra vicodin në ditë, përveç valiumit dhe ilaçeve të tjera për gjumë. Megjithatë, vjen një pikë kur thua: dua të heq dorë. Për mua kjo pikë ka qenë kur nisa ta kuptoja se talenti im po humbiste dhe nuk mund të ecja përpara kështu.

Ju shërbeu eksperienca në klinikë?

Sigurisht, më dha mjetet e duhura për të cilat kisha nevojë. Më bëri të kuptoja shumë gjëra, por efekti nuk ishte afatgjatë. Pas një jave pata sërish një rënie.

Për drogat nuk kishe folur asnjëherë me dëshirë...

Gjithmonë ka pasur referime ironike në tekstet e këngëve të mia, por vetëm tani arrita të flisja në një këngë me titullin "Deja vu". Dalëngadalë, kur ndiqja rrugën për t‘u "pastruar" u bë më e lehtë për mua të flisja për këtë. Nuk doja të tregoja për drogën në intervista ose me miqtë, sepse i përdorja akoma. Ndoshta njerëzit nuk e vinin re, por gjatë ndonjë bisede shkoja në banjë për të marrë drogë dhe pastaj rikthehesha sërish për të vazhduar bisedën.

Në autobiografinë "The way I am", përveçse flet shumë për drogat shkruan edhe se: "Pyes veten se çfarë do të mendojnë për këngët e mia vajzat, Kimberly Scott, që sot është 13 vjeçe dhe Alaian, vajza e adoptuar që është 16 vjeçe. Nuk mund t‘i mbroj përgjithmonë". Ja ke dalë mbanë deri tani?

Më pëlqen të mos flas për këtë argument.

Në videoklipin e fundit "We made you", bëni shaka me Amy Winehousin dhe Sarah Palinin, ndërsa në këngën "Medicine Hall" thoni për Maradonën që "duket kaq plak, sa të jep përshtypjen se ka mbijetuar nga ndonjë kamp përqendrimi". Po shani yje të popit si Britney dhe Lindsay Lohan. Përse keni zgjedhur pikërisht ato?

Mund të shpikja dhe emra të tjerë. Por Britney ka qenë fiksimi im për shumë vjet, ashtu si shumë personazhe të tjera të botës së popit. Megjithatë, nuk ka qenë qëllimi im të tallem me to. Nuk i njoh personalisht dhe nuk kam asnjë qëllim t‘u dëmtoj imazhin. Ju betohem.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›