E Shtunë, 31 Tetor 2026

Me Fredin, deri në frymëmarrjen e fundit

"E ruaj ende në kujtesë momentin e fundit, kur Fredi pushoi së marri frymë. Atë çast ai i dha fund kalvarit të vuajtjeve". Peter Freestone, një londinez trupmadh, shtrëngon dhëmbët dhe zgurdullon sytë e mëdhenj: "Për 12 vjet kam qenë hija e tij, asistenti personal, kuzhinieri, shoferi, këshilltari dhe miku i zemrës, por deri në orën 18.48, të 24 nëntorit të 1991-shit. Atë të diel në mbrëmje, në ‘Garden lodge‘ (shtëpia e Fredi Merkurit në Londër) kishte pllakosur heshtja. Doktori sapo ishte larguar dhe më tha se mund të jetojë edhe një javë, ose më pak", tregon Freestone.

Që SIDA do ta merrte shumë shpejt, Fredi e zbuloi në mesin e viteve ‘80 përmes një testi. "Për tre muaj me radhë heshti, më pas një ditë më tha: ‘Peter, koha ime po mbaron. Jeta më ka dhënë shumë dhe tani po mi merr të gjitha. Jam me SIDA dhe është e sigurt se pas pak kohësh do të vdes dhe dua të jetoj çdo sekondë të jetës që më ka mbetur. Nuk do të flas më kurrë për këtë argument, por ishte e rëndësishme që t‘i ta dije dhe të kujdesesh për shëndetin tënd‘", thotë Peter.

Fjalët ishin të pakta. Në atë moment më e rëndësishme ishte që miku i tij të vihej në dijeni dhe se tashmë jeta nuk do të ishte më si parë. Numërimi i ditëve kishte filluar.

"Nga njëra anë", shpjegon Freestone, "dëshironte të dinte se cili raport seksual i kishte shkatërruar jetën, ndërsa nga ana tjetër përpiqej të mos i kushtonte rëndësi këtij fakti, por të shijonte ato pak ditë që i kishin mbetur, duke i anashkaluar supozimet dhe hipotezat". Ndërkohë nxitonte të këndonte këngë të reja, të mos largohej nga kjo botë, pa lënë gjurmë në botën e muzikës. Para se forca t‘i shteronte, Merkuri kishte një brengë të vetme: "Ajo që më bën të vuaj më shumë, është se sëmundja nuk do të më lejojë të tregoj të gjithë muzikën që kam brenda. Kisha ende shumë plane në mendje, të cilat e di që nuk do arrij t‘i përfundoj, shumë këngë me të cilat do ta emocionoja publikun tim. Është e padrejtë që një artist të vdesë pa shprehur të gjithë artin e tij".

Freestone mallëngjehet, ndërsa sjell në mendje këto kujtime: "Ai ishte bota ime. Kam ardhur në Itali për t‘u gatuar fansave pjatat e preferuara të Fredit, si dhe për të asistuar në koncertin e ‘Merkury Band‘, një grup që luan këngët e ‘Queen‘. Këngëtari i grupit, përveçse është i mrekullueshëm, i ngjan jashtëzakonisht Fredit".

Tregimi i Freestone nuk është i trukuar, por shumë origjinal. Ai nuk heziton të tregojë çdo sekondë të jetës reale të yllit të rokut: "Fredi nuk hynte kurrë në shtëpi, ose hotel para orës pesë të mëngjesit. I adhuronte lokalet e homoseksualëve, herë pas here pinte edhe kokainë, tymoste cigare dhe kur bëhej fjalë për të pirë vodka, nuk tërhiqej kurrë pas. Edhe pse nuk kujdesej shumë për shëndetin, kishte një fizik perfekt. Të gjithë mendonin se shkonte në palestër, por Fredi nuk ka bërë kurrë një minutë gjimnastikë".

Një fizik, që gjatë muajve të fundit të jetës kishte filluar t‘i dobësohej e të mos funksiononte më ashtu siç duhej. "Më kujtohet një ditë kur po drekonim së bashku që më tha: ‘Mjaft gatove ushqime pikante, shqisat e mia të të shijuarit janë shkatërruar, nuk i ndiej më. Ha ushqimin tim të preferuar, atë indian që ti më përgatit me aq kujdes e dashuri dhe nuk ndiej më asnjë shije. Po ç‘dreq sëmundje është kjo? Përse çdo ditë të shkatërron nga një organ?‘. Pas pak kohësh filloi të ushqehej vetëm me avogado të freskët dhe qumësht".

Kosto ishin sinjalet e pazakonta që tregonin se dalëngadalë po shkonte drejt fundit. Peter e kishte kuptuar mirë: "Pak javë para se të vdiste, Fredi më dha një zarf me sterlina për t‘i blerë një pikturë të ‘Christie‘s‘. Kur u ktheva në shtëpi, e lashë pikturën në kuzhinë. Fredi po pushonte në dhomën e tij të gjumit, e cila ndodhej në katin e dytë. Sapo filloi të zbriste shkallët, vuri re se këmbët nuk i funksiononin më. Ishin të ngurta, nuk përthyheshin. Atëherë u ngjita lart, e mora në krahë dhe e zbrita poshtë që të shihte pikturën, të cilën e dëshironte aq shumë. Qëndronte mbështetur në qafën time si një fëmijë dhe më thoshte: ‘Fatmirësisht sytë më funksionojnë ende‘".

Merkuri ishte i vetëdijshëm se për të bota çdo ditë sa vinte e bëhej më e vogël. "Ditët e fundit të jetës nuk dëshironte të dilte nga shtëpia, sepse nuk i duronte dot gazetat skandaloze, të cilat e bënin të ndihej shumë keq", thotë Freestone. "Më kujtohet kur u kthye nga një udhëtim në Francë dhe më tha: ‘Kjo është hera e fundit që hyj në shtëpinë time. Kam vendosur të mos dal më‘". Kjo ishte një zgjedhje e motivuar edhe prej paparacëve, të cilët qëndronin 24 orë në 24 para shtëpisë. Askush nuk dinte gjë për sëmundjen e tij, madje as shokët e grupit. "Një natë i mblodhi të gjithë bashkë në shtëpi dhe biseduan për gati një orë. Kishte regjistruar me ta këngët e fundit mes dhembjes që ndiente në fyt dhe gjoks, por nuk ishte munduar që ta kapërcente. Para se të iknin ai u tregoi të vërtetën miqve të tij. Roger, Grian dhe John u larguan nga shtëpia me lot në sy dhe shikimin e ngulur në tokë, për të mos e kryqëzuar me timin. Tashmë dinin gjithçka, por ishte më mirë të mos flisnin".

Para se sipari të mbyllej përgjithmonë, Merkuri preferoi t‘i tregonte botës të vërtetën për shëndetin e tij. E bëri pak ditë para se të vdiste, përmes një konference për shtyp. "Më pas shkoi në shtrat", kujton Freestone. "Ditët e fundit filloi të mos i pinte më ilaçet dhe nuk bënte transfuzione gjaku. Pinte vetëm ndonjë qetësues për të "mpirë" dhembjet që e qetësonin ditë-natë. Isha aty, pranë tij, kur më nguli vështrimin dhe ashtu gjysmë i përgjumur i mblodhi të gjitha forcat e fundit dhe më tha: ‘Peter, faleminderit për të gjitha!‘".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›