Emini: Pensionet, pse nuk falimenton skema
Duket se çështja e skemës për pensionet do të mbetet një debat i hapur, lidhur kjo edhe me shifrat e kontribuesve, pagesat apo inflacionin. Në fakt, sa e sigurtë mbetet skema aktuale e pensioneve?
Skema aktuale e sigurimeve shoqërore në përgjithësi dhe e pensioneve publike në veçanti e ka fillesën në vitin 1993. Ajo u ndërtua me asistencën e institucioneve të specializuara dhe arriti katër objektiva kryesore:
a) Të transferojë në buxhetet familjare çdo muaj pensionet që ishin caktuar, pavarësisht se nuk trashëgoi nga sistemi i mëparshëm asnjë lloj rezervë të akumuluar.
b) Të marrë në evidencë të gjithë të drejtat e fituara. Pra, të njohë të gjithë historikun e kontributeve të realizuar në sistemin e ekonomise të centralizuar dhe ta përdorë atë si bazë për caktimin e pensioneve në çdo vit, duke e indeksuar dhe aktualizuar në vlerë e në uniformitet me zhvillimet ekonomike.
c) Të balancojë financiarisht sistemin e sigurimeve të detyrueshme nëpërmjet përmirësimit të vazhdueshëm të sistemit të mbledhjes së kontributeve, harmonizimit të mundësive financiare të shtetit për financim me politikat e rritjes së pensioneve, rikuperimin e inflacionit dhe vendosjen e politikave të subvecionimit të sistemit nga buxheti i shtetit, në mënyrë të kontrolluar.
d) Hartimin dhe zbatimin e një politike graduale të barazimit të pensioneve për personat e vetëpunësuar në bujqësi me pensionet në qytet, duke u fokusuar në:
1-Rritjen me ritme më të larta të pensioneve të caktuara të fshatit krahasuar me ato të qytetit;
2-Vendosjen e një formule të re për llogaritjen e pensionit të fshatit, duke mundësuar shtesën e pensionit për ata persona që banojnë në fshat dhe që paguajnë kontribute si të vetëpunësuar në bujqësi;
3-Ritjen e qëndrueshmërisë financare të skemës së pensioneve të fshatit, duke harmonizuar rritjen e pensioneve, me rritjen graduale të normës së kontributeve, deri në barazimin e saj me personat e vetëpunësuar në aktivitete jo bujqësore;
4-Faljen e kamatëvonesave si një instrument që rrit pjesëmarrjen e fermerëve në sistem, krijon për ata lehtësi për sigurimin e periudhave të sigurimit dhe për të pasur pensione të ardhshme të llogaritura mbi bazën e kontributeve të derdhura.
Duke pasur një pozicion më të mirë financiar në dy vitet e fundit është arritur që transfertat në buxhetet familjare nga fondet e sigurimeve shoqërore të rriten me mbi 13 miliardë lekë, ndërkohë që norma e kontributit, ose siç quhet ndryshe taksa e punës, është reduktuar me rreth 24 %. Pra, sistemi, duke u mbështetur edhe me fonde buxhetore, por edhe nëpërmjet përmirësimit të sistemit të mbledhjes së kontributeve ka plotësuar me mirë nevojat ekonomike të pensionisteve, si dhe qëndrueshmërinë financare të tij, e cila, për shkak të evazionit të kontributeve ende mbetet problematike.
Me ligj është që skema garantohet nga buxheti i shtetit ndaj dhe nuk ka vend për panik.
Është folur për një bum pensionesh të reja rreth vitit 2012, që lidhen me të vetëpunësuarit në bujqësi, që pas këtij viti pritet të futen në skemën e pagesës si pensione qyteti. A mund të shkaktojë ky fakt ndonjë ndryshim që mund të rrezikojë skemën?
Objektivi për një barazim të pensioneve të fshatit me qytetin, ose me qartë, i personave të vetëpunësuar në bujqësi me ata persona që zhvillojnë aktivitet ekonomik jobujqësor, ecën nëpërmjet një periudhe tranzicioni që ka filluar që në vitin 1998 dhe që materializohet në formulën e caktimit të pensionit. Si shkak i saj, një person që ka kontribuar në sistemin e ri të sigurimeve shoqërore nga viti 1994 e në vazhdim, në vitin 2007 ka arritur të marë një pension mujor rreth 40 % më të lartë se pensioni që ka një person sipas kontributeve të derdhura vetëm në ish-kooperativat bujqësore.
Barazimi i pensioneve të reja është parashikuar të realizohet në vitin 2012, duke ndjekur politikën e rritjes me ritme më të larta sesa në qytet të pensioneve aktuale të fshatit si: duke nxitur pjesëmarrjen e fermerëve në skemat e sigurimit nëpërmjet pjesëmarrjes së shtetit në pagesën e një pjese të kontributit të tyre, si dhe dhe rritur me mënyrë graduale kontributin që paguajnë fermerët në skemën e re të sigurimeve.
Mbështetur sa sipër edhe viti 2012 do të jetë një vit i zakonshëm i cili do të mbajë peshën e vet të parashikuar të rritjes së kostos së pensioneve, për shkak të rritjes së numrit të përfituesve, si dhe për shkak të rritjes së llogaritur të masës së pensionit.
Në fillim të marsit, gjatë një seminari të organizuar nga Banka Botërore, qeveria shqiptare dhe ISSH-ja u fol për kalimin në skemën e re. Në çfarë faze është ky proces? Po administrimi i skemës aktuale, çfarë ndryshimi pëson pas futjes së shtyllës së dytë dhe të tretë?
Sistemi i sigurimeve është pjesë e pandarë e sistemit ekonomik të një vendi përderisa i zhvillohet në të njëjtin mjedis ekonomik, krijon fonde korente, të cilat do të përballojnë kostot e të drejtave të fituara. Si një organizëm i gjallë, ai ka nevojë të vazhdueshme për reformim për përmirësim të vetvetes, pra të sistemit të pensioneve publike, si dhe të hapjes së rrugës së bashkëjetesës me skemat e pensioneve suplementare, qofshin këto të ndërtuara si shtylla të dyta apo të treta.
Aktualisht, një grup pune me shumë aktorë, teknikë dhe politikanë po punon për konceptimin e një skemë sigurimesh komplekse dhe moderne, e cila do të ketë në themel përmirësimin e pensioneve publike, rritjen e qëndrueshmerisë financiare të kësaj skeme, krijimin e mundësive reale për shtyllën e pensioneve suplementare dhe bashkëjetesën e këtyre skemave në mënyre të garantuar nga ana financiare.
Keni folur për një projekt, për numrin e sigurimit. Së fundmi edhe tatimet kanë deklaruar se nuk pranojnë bordero pa numrin e sigurimit për të punësuarit. Çfarë përmban në veteve ky numër dhe kush i pajis qyetarët me numrin e sigurimit?
Pajisja e kontributpaguesve me numrin e sigurimit shoqëror është një proces shumë i rëndësishëm. Ai është hapi i parë për krijimin e llogarisë personale të çdo personi ekonomikisht aktiv, mbi këtë logjike është një hap i rëndësishëm për adminsistrimin e saktë të kontributeve të paguara. Ky numër jepet nga ISSH mbi bazën e kërkesave të subjekteve. Dhënia e këtij numri, administrimi dhe marrja në dorëzim, kontrolli dhe sistemimi i dokumenteve të vjetërsisë në punë para vitin 1994, kanë krijuar mundësitë për përmirësimin e administrimit të fondit të sigurimeve shoqërore, duke zbuluar e shmangur informalitetin, por edhe abuzimet me fondet e pensioneve si në rastet e pensioneve të pleqërisë, ashtu edhe për pensionet suplementare apo trajtimet e veçanta të minatorëve apo ushtarakëve.