E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çmimet e ushqimeve, rriten me 26 % importet për 3 muaj

Importet e mallrave ushqimore gjatë tre muajve të parë të këtij viti janë rritur me 26 për qind krahasuar me tremujorin e parë të vitit të shkuar. Të dhëna zyrtare bëjnë me dije se, vendin kryesor në grupin e mallrave ushqimore që kanë rritur importet e zënë drithërat me rreth 19 për qind më shumë, frutat dhe perimet me 12 për qind më shumë, vaji dhe bulmeti me mbi 27 për qind më shumë dhe pijet alkoolike dhe jo alkoolike. Të dhënat bëjnë të ditur se, rritja e madhe e çmimeve të ushqimeve dhe sidomos drithërave në tregun ndërkombëtar ka bërë që importuesit të rrisin sasinë e mallrave që blejnë, nën trysninë e rritjes edhe më të madhe të çmimeve.

Në të vërtetë, çmimet e ushqimeve që prej vjeshtës së vitit të kaluar janë rritur dhe kjo gjë është bërë më e thekshme gjatë muajve të parë të këtij viti. Çmimet e drithërave kanë pësuar një rritje që është mbi dy herë më e madhe sesa muaj më parë. Në Shqipëri, ngritja e çmimeve është e pranishme dhe është raportuar si e tillë prej muajsh edhe nga Instituti i Statistikave. Vetëm për muajin e shkuar inflacioni shkoi në 4.6 për qind, duke kapur vlerën më të lartë që prej disa vitesh. Çmimet e artikujve kryesorë si: vaji, mielli, sheqeri, orizi janë rritur me 70-80 për qind në krahasim me vjeshtën e shkuar. Rezervat botërore të ushqimeve dhe sidomos drithërave janë në nivelin më të ulët të tridhjetë viteve të fundit dhe sipas të dhënave, ato do të vijojnë të jenë të tilla edhe për shkak të stinëve që po bëhen më të thata. Fondi Monetar Ndërkombëtar, me anë të drejtorit të tij, Dominik Stros Kan, njoftoi dy ditë më parë se kriza e ushqimeve mund të rëndohej nëse nuk do të merreshin masa të shpejta dhe nëse nuk do të rritej sipërfaqja e mbjellë me drithëra. Arsye e rëndësishme e pakësimit të ofertës së drithërave është edhe përdorimi i misrit dhe i sojës si lëndë për të prodhuar karburant bimor. Shqipëria është një vend i cili është krejtësisht i varur nga importet e drithërave dhe ushqimeve, pasi sasia e dithërave që prodhohet në vend është më pak se 30-40 për qind e asaj që nevojitet. Për frutat dhe perimet Shqipëria vuan po të njëjtën gjë dhe importon më shumë se 60 për qind të totalit të tyre. Veç kësaj, Shqipëria është një vend që importon edhe produkte qumështi dhe mishi në sasi të konsiderueshme, siç importon edhe vaj apo sheqer. Fakti që importet janë rritur në mënyrë kaq të ndjeshme, bart shqetësimin se çmimet do të vijojnë të rriten.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›