Bode: Pas anëtarësimit në NATO do marrim kredi me interesa më të ulëta
Ministri i Financave, Ridvan Bode, u shpreh dje, se “Shqipëria, pas marrjes së ftesës për anëtarësim në NATO, do të ketë mundësi të marrë kredi me interesa më të ulëta sesa deri më tani. Ministri i Financave tha gjithashtu, se vendi ynë do të jetë më i sigurt për investitorët e huaj për të kryer investime të drejtpërdrejta . Sipas tij, paqëndrueshmëria politike në rajon ka luajtur një rol të rëndësishëm edhe në prezantimin e normave të larta të interesit për kreditë për ekonominë e vendit. “Edhe në konsideratat politike që bëhen për Shqipërinë në kuadrin e ofertave financiare, kjo situatë ka qenë shumë delikate, por pas këtij momenti të gjitha këto specifika rreth prezantimit të Shqipërisë në tregun evropian dhe atë botëror të kredive dhe kapitaleve, tashmë janë të tejkaluara”, - tha Bode.
Ministri i Financave, Bode, tha se “Shqipëria ka bërë një progres drejt përafrimit të institucioneve funksionale, demokratike dhe ligjore drejt standardeve që kërkon NATO”.
Sipas ministrit Bode, ftesa për në NATO duhet të mirëkuptohet si një inkurajim për të bërë progres më të madh dhe ky ka qenë edhe thelbi i saj në të gjithë këtë periudhë. “Progresi i Shqipërisë drejt standardeve është shumë i madh, por ky progres nuk duhet të ndalë tani, por duhet të jetë më i madh për të qenë realisht një vend me institucione të përafërta me ato të vendeve të NATO-s”, - tha ministri i Financave, Bode.