E Diel, 1 Nëntor 2026

Qato vë kurorë, Shqipëria me kampion bote

Shqipëria ka që prej mbrëmjes së djeshme një kampion bote. Boksieri durrsak, Kreshnik Qato, i ka falur dje sportdashësve shqiptarë titullin kampion në Fondacionin Botëror të Boksit, WBF, pasi ka mundur me pikë portugezin, Vitor Sa, pas një ndeshjeje prej 12 raundesh. Ka qenë një fillim drithërues për shpresat e shqiptarit, por edhe një fund i mrekullueshëm. Në minutën e dytë të raundit të parë, nga një e djathtë e Sa, Qato është rrëzuar, duke drithëruar mijëra spektatorë në pallatin e sportit “Asllan Rusi” në kryeqytet e qindra-mijëra të tjerë në ekranet e televizorit. Por duket se kaq ka mundur të prezantojë Sa, pasi më pas raundet kanë nisur të ekuilibrohen, derisa është shkuar në raundin e gjashtë, kur Qato ka marrë drejtimin e dukshëm të ndeshjes. Përballë boksierit shqiptar ka qenë një boksier i fortë, por i privuar nga shtatshkurtësia, çka ka bërë të mundur që Qato të shpëtojë shpesh nga goditjet e kundërshtarit. Epërsia e Qatos gjatë ndeshjes ka qenë sulmi i pandalshëm, edhe pse kundërsulmet e portugezit Sa në disa raste kanë qenë të rrezikshme për boksierin shqiptar. Në fund, të tre gjyqtarët kanë folur për boksierin shqiptar, i cili i ka fituar pikët me 24 pikë diferencë: 119/110, 117/111 dhe 120/111.

Pas ndeshjes, Qato, që arriti fitoen e 17 në karrierë, ka pranuar se ka qenë një ndeshje e fortë dhe e vështirë, ndërsa portugezi Vitor Sa ka kërkuar revansh, për një ndeshje në Porto, për të ridiskutuar titullin. “Më ndihmoi entuziazmi i publikut”, - tha Qato, pa fshehur emocionet pas ndeshjes. I emocionuar pas ndeshjes është shfaqur edhe organizatori i saj, Ylli Ndroqi. Ky i fundit pranoi se ishte drithëruar pas rrëzimit të Qatos në raundin e parë, por më pas kishte ndjekur entuziazmin e sallës që ndiqte ringritjen e Qatos nga raundi në raund.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›