Emiratet presin njohje të reja të Kosovës
Ambasadori i Emirateve të Bashkuara Arabe në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, Ahmed A Al-Jarman, ka shprehur bindjen se vendet arabe dhe vendet e konferencës islamike do ta njohin së shpejti Kosovën e pavarur.
I pyetur nëse Emiratet e Bashkuara Arabe mund të ndihmojnë në njohjen e pavarësisë së Kosovës nga shtetet tjera islamike, Al-Jarman është shprehur: “Mendoj se secili shtet ka pikëpamjet e veta, sovranitetin e vet dhe identitetin e vet, kështu që nuk mund t'i detyrosh për asgjë. Por, mendoj se njohja nga Emiratet e Bashkuara Arabe ndoshta mund t'i inkurajojë vendet tjera, si ato arabe ashtu dhe ato islamike, që në të ardhmen ta njohin pavarësinë e Kosovës edhe ato dhe shpresojmë të ndodhë një gjë e tillë”- ka thënë ai, në një intervistë për RTV 21.
Ndërkaq lidhur me vendosjen e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Kosovës dhe Emirateve të Bashkuara Arabe ai ka thënë se hapi i parë ishte njohja. “Njohja do thotë dialog politik midis dy vendeve. Pastaj vjen hapja e konsullatave apo ambasadave, këtu apo atje. Kjo kërkon pak kohë dhe organizim. Por, gjërat janë në proces dhe mendoj se të gjitha do të arrihen në të ardhmen”, tha ai. /Telegrafi/