E Diel, 1 Nëntor 2026

Vendimi, Elton Gërdhuqi 16 vjet burg për vrasje

Pas një maratone të gjatë, 37-vjeçari u dënua për vrasjen e punonjësit të karburantit Xhezo Braka në vitin 2001 Vlorë

VLORË- Gjykata e Apelit të Vlorës ka dënuar dje me 16 vjet burgim 37- vjeçarin Elton Gërdhuqi. Pas një maratone të vërtetë gjyqësore, Gërdhuqi është shpallur fajtor për vrasjen e një personi në një pikë karburanti në vitin 2001. Gjatë këtyre shtatë viteve, çështja "Gërdhuqi" kishte kaluar pothuajse në të gjitha shkallët e gjyqësorit duke u bërë edhe një rast i paraqitur nga organizatat ndërkombëtare si shkelje e ligjeve. Për këtë arsye Gërdhuqi ishte lënë në arrest shtëpie. Me të marrë në dorë vendimin në lidhje me Elton Gërdhuqin, policia e Vlorës ka rendur në shtëpinë e tij ku dhe ka kryer arrestimin. Sipas gjykatës së Apelit, Gërdhuqi është kapur fajtor për vrasjen e shtetasit Xhezo Braka, punonjës i një pike karburanti në pranë fshatit Cerkovinë në rrugën nacionale Vlorë-Fier si dhe për armëmbajtje pa leje.

Vrasja

Në vendimin e djeshëm të gjykatës thuhet se Elton Gërdhuqi, së bashku me dy persona të tjerë, në vitin 2001 kanë shkuar për të furnizuar makinën me karburant në pikën pranë fshatit Cerkovinë. Atë ditë në këtë pikë ndodhej në detyrë shtetasi Xhezo Braka. Ata kanë furnizuar makinën por nuk kanë pranuar që t'i jepnin para punonjësit të karburantit. Në këtë moment ka nisur edhe sherri pasi ky i fundit nuk i lejonte të largoheshin pa paguar paratë. Nga dëshmitë e marra në gjykatë është mësuar se tre djemtë i kanë thënë punonjësit të karburantit që të rrinte urtë ose në rast të kundërt do ta pësonte keq. Në debat e sipër, Braka ka hyrë në godinë dhe ka dalë prej aty pak sekonda më pas me një çifte në dorë. Kur ka parë punonjësin e karburantit me armë në dorë, Gërdhuqi ka dalë me shpejtësi nga pas godinës. Ai i është afruar nga pas Xhezo Brakës dhe e ka qëlluar me pistoletë. Punonjësi i karburantit gjeti vdekjen e menjëhershme ndërsa tre djemtë janë larguar nga vendi i ngjarjes.

Dënimi

Kohë më pas, në lidhje me këtë ngjarje u arrestuan të tre djemtë e rinj por dy bashkëpunëtorët e Gërdhuqit u dënuan për akuza të tjera. Vetë Elton Gërdhuqi mundi t'i shpëtonte qelisë së burgut pas mbarimit të afateve të paraburgimit. Ai ka dalë nga burgu pasi gjykata vendosi ta lërë me arrest shtëpie ndërsa punonjësit e policisë duhet të kontrollonin se mos ai e shkelte këtë gjë. Gjyqi i parë e dënoi Elton Gërdhuqin me 20 vjet burg me akuzën e vrasjes dhe armëmbajtjes pa leje. Por apeli e rrëzoi këtë gjë duke e kthyer për rigjykim. Kjo gjë ka ndodhur tre herë duke arritur deri në Gjykatën e Lartë. Tashmë ai duhet të vuajë pjesën e mbetur të dënimit por këtë herë i favorizuar nga koha e kaluar në paraburgim. Duke qenë se Elton Gërdhuqi është arrestuar që në vitin 2001, atij i ka mbetur që të vuajë edhe tetë vite burgim.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›