E Shtunë, 31 Tetor 2026

Emiri Ferid

Ferid Agani, në Kuvendin e Shtatë, u zgjodh Kryetar i Partisë së Drejtësisë. Por, Kuvendi u cilësua si jodemokratik dhe me shumë manipulime. Deputeti Amir Ahmeti hedh plot akuza në adresë të Aganit.

Ferid Agani sërish u rizgjodh Kryetar i Partisë së Drejtësisë, të dielën, në Kuvendin e rregullt Zgjedhor të kësaj partie.

Duke falënderuar simpatizantët e tij për përkrahjen e dhënë, Agani ka folur për rritje të partisë të cilën e udhëheq.

“Partinë e Drejtësisë nuk munden vetëm një, dy apo tre persona ta çojnë para, mirëpo duhet një punë dhe po ashtu nevojitet një unifikim brenda partisë. Gjithashtu duhet një bashkëpunim edhe më i fortë në mënyre që të bashkuar t’i arrijmë synimet tona. Ju premtoj që së bashku do të punojmë që të realizohen të gjitha qëllimet e PD’së”, ka thënë Agani pas rivotimit të tij për Kryetar.

Fjalimin e tij e kanë mirëpritur të gjithë delegatët e PD’së, përveç nënkryetarit, të cilin e kishte shkarkuar Agani ditë më parë, Amir Ahmeti.

Ahmeti as që është dukur fare në Kuvendin e shtatë të Partisë së tij. Ndërsa për këtë ka dhënë një arsyetim. Ai nuk dëshiron të bashkëpunojë më me Ferid Aganin, të cilin e akuzon për manipulim të Kuvendit.

“Ai ka bërë manipulime. Nuk dua të kem më kurrfarë bashkëpunimi me të, sepse po tenton të jetë i vetmi vendimmarrës në parti”, tha Ahmeti, për Express.

Përpos zgjedhjes së Kryetarit, gjatë Kuvendit të PD’së, Kryesia kishte propozuar edhe miratimin e disa amendamenteve që kanë të bëjnë me ndryshimin e statutit të Partisë.

Ahmeti thotë se të gjitha amendamentet e miratuara janë propozime të Kryetarit Agani, ndërkohë bën të ditur se Kryesia kishte propozuar diçka tjetër.

“Atëkohë kam qenë nënkryetar dhe kemi dhënë propozime të tjera, por asnjë nuk janë marrë parasysh ngase zoti Agani dëshiron që të gjitha t’i bëjë vetë”, u shpreh Ahmeti.

Ai thotë se kritikat të cilat po i shfaq nuk kanë të bëjnë me shkarkimin e tij, ndërkohë që rithekson se në PD nuk ka demokraci për shkak të Kryetarit Agani.

“Jo, nuk po i them këto vetëm se më ka shkarkuar mua. Këto ia kam thënë edhe më herët, por ai nuk i merr parasysh. E kam thënë edhe më herët se në PD nuk ka demokraci të brendshme”, tha Ahmeti.

Sipas tij, kjo u dëshmua disa herë edhe gjatë kuvendeve të tjera zgjedhore, kur askush nga Partia nuk ka guxuar t’i kundërvihet Kryetarit.

E fakti se askush nuk e kundërshton Kryetarin, u pa edhe gjatë Kuvendit të së dielës, kur Agani u rizgjodh kryetar pa asnjë kundërkandidat si dhe pa kundërshtime dhe abstenime të anëtarëve të PD’së. 202 delegatë të pranishëm në sallë, nga 244 sa do të duhej të ishin, unanimisht ngritën duart lart për t’ia pohuar Aganit edhe një mandat dyvjeçar për të udhëhequr Partinë e Drejtësisë.

Agani ka premtuar se do të punojë me përkushtim të madh duke iu përmbajtur vlerave dhe qëllimeve të partisë, duke thënë se PD’ja gjithmonë ka respektuar Kushtetutën në aspektin e ndarjes së fesë nga politika.

“Këto qarqe janë munduar në tërësi deri në ditët e sotme t`ia imponojnë etiketën e partisë fetare, partisë që konceptet fetare i keqpërdor për qëllime politike, duke tentuar që të kufizojnë përkrahjen e koncepteve politike të PD’së në masën më të gjerë të qytetarëve, mirëpo ashtu sikur gjithmonë ndodh kur tentohet të thuhet e pavërteta, ajo asnjëherë nuk mund t`i qëndrojë kohës”, tha Agani, duke potencuar se Partia e Drejtësisë do të punojë me përkushtim për një shtet sekular siç është Kosova.

Ndryshe, gjatë Kongresit, delegatët kanë miratuar edhe raportin e aktiviteteve të partisë për dy vitet e kaluara si dhe raportin financiar. Ndërkohë që me vota unanime është legjitimuar edhe Dega e re PD’së në Prizren. Po ashtu, është rizgjedhur Kryesia e Partisë, ku në pozitën e nënkryetarit për marrëdhënie me jashtë është zgjedhur Avdullah Klinaku.

Nënkryetar për administrim dhe financim, Qenan Kerqiu, ndërsa me çështjet sociale do të merret Gëzim Kelmendi. Të rinjtë e PD’së do të udhëhiqen nga Fahredin Majkovci, ndërkohë që sekretar i Partisë, po ashtu në mënyrë unanime, është zgjedhur Gazmend Ademi.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›