E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ja frytet e dialogut

Zëvendëskryeministrja e Kosovës, njëherësh shefe e delegacionit në dialogun teknik me Serbinë, Edita Tahiri ka thënë se angazhimi i Qeverisë së Kosovës në këtë dialog ka avancuar Kosovën drejt Bashkimit Evropian.

Ajo në një prononcim përmes telefonit për Kosovapress ka deklaruar se një gjë të tillë e dëshmon mbështetja që Bashkimi Evropian i ka dhënë nisjes së dialogut për liberalizimin e vizave, marrëdhëniet kontraktuale dhe për anëtarësimin e vendit në Bankën Evropian për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH).

“Dua të jap një porosi për skeptikët e dialogut teknik të cilët vazhdimisht po flasin që dialogu po përdorët për qëllimet e Serbisë që të marrë statusin e kandidatit dhe tash u pa që është e kundërta. Pikërisht dialogu teknik ishte ai që nxori në pah jo seriozitetin e Serbisë në përmbushjen e obligimeve të dialogut dhe rrëzoi kandidaturën e Serbisë në BE”, ka thënë Tahiri, e cila po merr pjesë në Stamboll në konferencën e lobit të grave të rajonit me temën “Situata e sigurisë në rajon dhe pozita grave në kuadër të shteteve euro-atlantike”.

Ndryshe, dje kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi, pas kthimit nga Brukseli, ka përshëndetur konkluzionet e samitit të liderëve të Bashkimit Evropian, duke thënë se mesazhet e dhëna për Kosovën janë shumë të qarta.

Serbia nuk ka marrë statusin e kandidatit për BE, pasi ka marrë si kusht normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën. Deri në mars të vitit të ardhshëm Serbia duhet ta bindë Këshillin Evropian, duke dëshmuar angazhim dhe duke shënuar përparime në zbatimin e marrëveshjeve të arritura në dialogun me Kosovën, përshirë menaxhimin e integruar të pikëkalimeve, marrëveshje për bashkëpunim të plotë rajonal, si dhe të bashkëpunojë aktivisht që të mundësohet zbatimi i mandatit të EULEX-it dhe KFOR-it.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›