E Shtunë, 31 Tetor 2026

Burimi i gjuhet Klanit

Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Burim Ramadani, sipas Gazetës Tema, ka reaguar pas lajmeve në TV Klan e më pas në mediat e tjera.

Këto mediat deklaruan se Ramadani ka theksuar se PS kërkoi falje për gafën për ftesën ndaj Haradinajt. Po ashtu TV Klan deklaroi se Ramadani ka thënë se ishte gabim pritja e zotit Rama në selinë e AAK. Ramadani kërkon që Klan të përgënjeshtrojë lajmin, ose do përballet me padi.

Gjeni më poshtë reagimin e plotë të zotit Ramadani.

“Po ju shkruaj me indinjatë të thellë në lidhje me lajmin e emetuar në edicionin e lajmeve të mbrëmjes së sotme, 11 dhjetor 2011 (e diel), sa i përket qëndrimit tim për takimin e udhëheqjes së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) me liderin e Partisë Socialiste të Shqipërisë, z. Edi Rama.

Ajo që është emetuar nga ju si lajm, është plotësisht e pavërtetë dhe e bazuar në interesa të ngushta të politikës së brendshme në Shqipëri. Unë asnjëherë dhe në asnjë moment nuk kam thënë se “ka qenë gabim pritja e z. Rama në takim me AAK-në” dhe as se “Partia Socialiste na kërkoi falje”. Për më tepër, unë i kam kërkuar falje Partisë Socialiste për përfshirjen e panevojë dhe të pakëndshme të AAK-së në spektaklet abuzuese mediale në Shqipëri.

E kundërta është e vërteta. Unë kam thënë për Televizionin tuaj (përmes KlanKosova-s), më 10 dhjetor 2011, se ne kemi raporte korrekte me Partinë Socialiste dhe me z. Edi Rama, dhe se ne çmojmë vlerësimet e z. Rama për liderin e AAK-së, z. Ramush Haradinaj. Kam thënë saktësisht se: “Përkundër faktit se partner yni sipas profilit partiak është Partia Demokratike e Shqipërisë, ne nuk kemi asnjë arsye të vetme që të mos kemi raporte të mira me Partinë Socialiste dhe me partitë tjera politike në Shqipëri”.

Unë kam thënë dhe e rikonfirmoj se nuk ka pasur as më të voglin keqkuptim midis AAK-së dhe PS-së në kërkesën për takim, përkundrazi vlerësoj se takimi ka qenë i frytshëm dhe me interes reciprok.

Lajmi juaj i mbrëmjes së sontme është më tepër se trillim, i shpifur dhe i tmerrshëm. Jo vetëm se fjalët e mia janë nxjerrë nga konteskti, por ato janë përçudnuar skajshëm për qëllime të cilat ju i dini vet më së miri. Për më shumë, ju nuk keni mundur as të shqiptoni saktë akronimin e partisë sonë, duke thënë AKK në vend të se të thuhet AAK (Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës).

Kërkoj nga ju që ta emetoni demantin dhe indinjatën time sa i përket lajmit tuaj dhe përçudnimit të deklaratave të mia. Në të kundërtën, definitivisht më duhet të marrë veprime të nevojshme ligjore ndaj jush.

Burim Ramadani

Sekretar i Përgjithshëm

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›