Emisioni “Përballë” në RTSH, Kadilli: Berisha të shmang përfshirjen e PD-së në vendimin e DASH

Kandidati për kryetar i Partisë Demokratike, Fatbardh Kadilli, ka komentuar për herë të parë shpalljen “non grata” të liderit hsitorik të PD-së, Sali Berisha, nga DASH. Në një intervistë me gazetarin Lutfi Dervishi, në emisionin “Përballë”, zoti Kadilli tha se “Berisha duhet të shmang përfshirjen e PD-së në këtë çështje.
“Ne nuk mund ta trajtojmë zotin Berisha si një anëtar i grupit parlamentar të PD-së. Zoti Berisha është institucion. Dhe unë i kam bërë thirrje që ditën e parë, madje që para se të dilte kryetari i partisë të shprehej që, zoti Berisha i ka të gjitha mundësinë për ta ndjekur këtë çështje privatisht dhe zoti Berisha ka gjithë vullnetin, besoj unë, që të shmang përfshirjen e PD-së në këtë çështje. Të shmang përfshirjen e institucionit Berisha në institucionin PD në këtë çështje. Dhe jam i bindur që ai ka dhimbshuri shumë herë më të madhe për PD se sa kryetari aktual. “- tha Kadilli.
Kadilli thotë se PD ka nevojë të fillojë një epokë të re.
“Janë dy institucione. Njëri është memoria dhe modelimi i kësaj partie dhe një gjë tjetër është partia. Sot PD-ja, pavarësisht kësaj ngjarje fare e pakëndshme, unë kam dhimbshuri për çfarë ka ndodhur dhe për personin, sepse kam punuar dhe për politikanin se kam marrë pjesët më të mira nga përvoja me të. Edhe sikur të mos ndodhte kjo, unë përsëri do të isha në të njëjtin pozicion. PD ka nevojë të fillojë një epokë të vetën të re.”