Emri i Maqedonisë, Nimiç gati për të rinisur negociatat
Ndërmjetësi i Kombeve të Bashkuara për kontestin e emrit midis Maqedonisë dhe Greqisë, Metju Nimiç është i gatshëm për të rinisur negociatat për zgjidhjen e këtij kontesti, menjëherë pasi që të dyja palët do të jenë të gatshme. Kështu ka deklaruar Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Moon, i cili po qëndron për vizitë zyrtare në Greqi. Ban Ki Moon ka marrë mbështetjen e kryeministrit të ri grek, Jorgos Papandreu lidhur me angazhimin dhe mbështetjen e procesit të negociatave për emrin, që udhëhiqen nën patronazhin e OKB-së. Kryeministri Papandreu ka informuar sekretarin e përgjithshëm të OKB-së lidhur me nismat e tij të fundit për zgjidhjen e kontestit të emrit. Ndërkohë mediat ndërkombëtare theksojnë se nuk pritet zgjidhja e kontestit të emrit midis Athinës dhe Shkupit, para Samiti të BE-së që do të mbahet në muajin dhjetor, edhe pse Shkupi zyrtar shpreson për përparime.