E Diel, 1 Nëntor 2026

Gorbachev: Kremlini në vitin 1989 ka mundur të nxitë luftë botërore

Kremlini ka mundur të nxitë Luftën e Tretë Botërore në vitin 1989, po të kishte shfrytëzuar ushtrinë, për të shtypur demonstratat, të cilat i paraprinë rënies së murit të Berlinit, theksoi sot presidenti i fundit i ish-Bashkimit Sovjetik, Mikhail Gorbachev.

Gorbachev është lavdëruar në Perëndim, për shkak se kishte injoruar ithtarët e vijës së fortë, të cilët e kishin këshilluar që të sigurojë ardhmërinë e Bashkimit Sovjetik, duke e shtypur valën e pakënaqësisë në shtetet e bllokut lindor, e cila rezultoi me shembjen e murit të Berlinit, më 9 nëntor të vitit 1989.

I pyetur nga gazetarët se pse nuk e ka përdorur forcën, për të ndalur demonstratat, Gorbachev u përgjigj se një veprim i tillë do të kishte nxitur një seri të ngjarjeve shkatërrimtare, e madje edhe luftën botërore.

Po të kishte dëshiruar Bashkimi Sovjetik, atëherë nuk do të kishim përjetuar shembjen e murit, e as bashkimin e Gjermanisë. Por çfarë do të kishte ndodhur? Një katastrofë apo Lufta e Tretë Botërore. Politika ime ishte e hapur dhe e sinqertë, politikë që kishte për qëllim shfrytëzimin e demokracisë, e jo derdhjen e gjakut, tha Gorbachev.

Gorbachev, i cili ka mundur të shfrytëzojë rreth 500 mijë ushtarë sovjetikë, të stacionuar në Gjermaninë Lindore, për të shtypur kryengritjen, theksoi se ai ka fjetur mjaft mirë, pas hapjes së murit.

Isha tejet krenar për vendimin që kishim marrë. Muri nuk ra-ai u shkatërrua, siç u shkatërrua edhe Bashkimi Sovjetik, tha Gorbachev.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›