Emri i Maqedonisë, Shkupi vonon përgjigjen
SHKUP - Liderët në Shkup vendosën dje të vonojnë përgjigjen zyrtare ndaj propozimeve të ndërmjetësuesit ndërkombëtar për çështjen e emrit kushtetues të Maqedonisë, Metju Nimiç. Kryeministri Nikolla Gruevski dhe presidenti, Branko Cërvenkovski nuk arritën dot të bien dakord me njëri-tjetrin, por të dy shprehën pakënaqësi lidhur me propozimin e Nimiç për emrin e ri, "Republika e Maqedonisë së Veriut". Mosmarrëveshjet midis Shkupit dhe Athinës gjatë ditëve të fundit janë rritur vazhdimisht. Ka qenë i menjëhershëm reagimi i Athinës zyrtare pas deklaratave të kryeministrit maqedonas, Nikolla Gruevski se në Greqi shkelen të drejtat themelore të njeriut. Ministria e Jashtme e Greqisë e ka cilësuar deklaratën e shefit të ekzekutivit maqedonas, si një ndërhyrje në punët e saj të brendshme. Përmes një deklarate për shtyp, MPJ greke, vetëm dy ditë më parë, theksoi se "Komunikata e re e qeverisë Gruevski përbën një tentativë brutale të shtrembërimit të realitetit. Kjo politikë e ndërgjegjshme e kultivimit të nacionalizmit dhe urrejtjes etnike, është më së paku e papërgjegjshme. Le ta mbledhë mendjen zoti Gruevski, qytetarët grekë nuk kanë nevojë nga avokatë të vetëshpallur".
(s.g/BalkanWeb)