E Shtunë, 31 Tetor 2026

OPINION/ Fajin nuk e ka pasqyra

Nga Selim Belortaja
Forumi Ekonomik Botëror sapo publikoi Raportin e Konkurrueshmërisë Globale 2008-2009,botimin e tij më të rëndësishëm vjetor. Renditja e Shqipërisë në listimin e përgjithshëm botëror në këtë tregues, nuk është aspak e kënaqshme. 

Mbajmë vendin e 108-të në një listë me 134 vende gjithsej. Ndërsa “nota” e vlerësimit tonë sa i përket Indeksit Global të Konkurrueshmërisë, është vetëm 3.55 në një sistem notash nga 1 (shumë dobët) tek 7 (shumë mirë).
Por objekti i këtij raporti nuk mjaftohet me përshkrimin e një treguesi të vetëm përmbledhës. Sepse ky tregues sintetik i konkurrueshmërisë s’është veçse rezultante e një morie treguesish të tjerë. Më konkretisht, ai përcaktohet nga niveli i grup-treguesve të tillë, si eficienca e punës së institucioneve, politikat e zbatuara dhe faktorët e tjerë, të cilat në ndërveprimin e tyre, përcaktojnë nivelin e produktivitetit të një vendi. Thënë me fjalët tona, konkurrueshmëria s’është veçse aftësia reale e një mjedisi ekonomik për të rritur më shpejt (ose më ngadalë) të ardhurat nga puna dhe nga kapitali. Brenda këtij përkufizimi kemi të shkrirë në një, si dimensionin statik (të ardhurat e të punësuarve) ashtu edhe atë dinamik të një ekonomie (kthimin e shpejtë të investimeve).
***
Po përse nxituam qysh në fillim dhe e quajtëm krejt të pakënaqshëm nivelin e konkurrueshmërisë për Shqipërinë? Nga dashakeqësia. Nga mos-atdhedashuria? Apo thjesht nga marazi e xhelozia? Një përgjigje e vetme në formë kundërpyetje mjafton besoj për të tria pyetjet bashkë: A vërtet mendoni se duke i fshehur e zbukuruar faktet, shërbehet më mirë zhvillimi e progresi i një vendi? Sepse nuk ka dyshim për askënd besoj, se zhvillimi i vërtetë i vendit (i vërteti dhe jo ai i trukuari), është interesi madhor e thelbësor i kujtdo që ka vendosur të punojë e t’i rrisë këtu fëmijët e vet.
***
Sidoqoftë, raporti as që na lejon të gjykojmë ndryshe. E para për këtë flet vetë shifra që kemi përkrah në listën e përgjithshme. Të 108-ët ndër 134. Nëse i hedhim një sy vendeve që janë më keq se ne, lidhur me këtë Indeks Global, shqetësimi bëhet i qartë. Poshtë nesh nuk ka as edhe një vend të vetëm nga ata që po anëtarësohen në NATO dhe në BE. As nga ata madje që u shkon ndërmend ndonjë synim i tillë. Poshtë nesh janë kryesisht grupi i vendeve “të këputura”, pa burime natyrore e pa kapacitete njerëzore. E dyta, vazhdojmë të paraqitemi në nivelin më të ulët ndaj të gjitha vendeve të rajonit. Më afër kemi Bosnjen dhe Hercegovinën, por edhe ajo rreshtohet një vend sipër nesh. Edhe Moldavia (me PBB për frymë sa një e treta e jona), rreshtohet 13 vende para nesh, Maqedonia është 19 pozicione më lart, Serbia 23 pozicione, ndërsa Mali i Zi plot 43 vende më mirë. Shqetësimi i tretë është dinamika e dobët e këtij treguesi. Që prej tre vjetësh konkurrueshmëria jonë dëshmon një “nëvendnumëro”. Kjo duket jo aq nga renditja nominale që lexojmë çdo vit (nga vendi i 98 në 2006 ramë ne vendin 109 në 2007, me një lëvizje minimale sivjet tek vendi 108), sepse kjo ndikohet pakëz nga numri i vendeve që listohen çdo vit. Autorët e Raportit gjithsesi janë kujdesur që renditjen ta zhveshin edhe nga ky ndikim –duke na dhënë krahas renditjes së vitit, edhe atë se “sa do të ishte kjo renditje sikur numri i vendeve të mos kishte ndryshuar” dhe konkluzioni sërish mbetet po ai. “Nëvendnumëro”-ja e konkurrueshmërisë lexohet edhe më qartë tek “nota” mesatare me të cilën vlerësohemi në sistemin 7-notash. Këtu madje, përpjekja për “aktualizim” të notës do ta rëndonte edhe më tepër pamjen. Sepse ne vërtet që sivjet kemi notën 3.55 (ndaj 3.46 në 2006 dhe 3.48 në 2007) dhe kjo mund t’ju japë përgjegjësve kurajën të thonë se në fakt kemi njëfarë progresi. Fatkeqësisht as kjo rritje zvarranike nuk shënon kurrfarë progresi. Sepse ndërkohë e gjithë bota, përfshi edhe vendin më të fundit në listë, e kanë rritur konkurrueshmërinë e tyre. Ndërsa ne pra në tre vjet, kemi një rritje prej vetëm 2.6 për qind gjithsej, niveli fundor i listës, pra “dyshemeja” e konkurrueshmërisë botërore është rritur me 14 për qind (nga 2.50 në 2.78 e pastaj në 2.85). Pra, të gjithë rriten ndërsa ne sërish më pak.
***
Por meritë e qartë e Raportit –siç thamë –është zbërthimi që ai bën në elementë dhe faktorë që kanë çuar në këtë nivel konkurrueshmërie. Studimi një për një i këtyre elementeve të veçantë krijon mundësinë e krahasimit të kollajtë mes vendeve të veçanta, për çdo tregues, por dhe mundësinë e ndjekjes së ecurisë së çdo treguesi në vite (së paku që nga viti 2004 –viti i parë i daljes së këtij raporti).
Ky detajim i përgjigjet më së miri pyetjes bazë që del nga sa më sipër. Kush e shkakton këtë ngecje? Nga na vjen kjo “nëvendnumëro” sa i përket nivelit të konkurrueshmërisë së ekonomisë shqiptare? Kush i prodhon goditjet dhe kush “i ha” ato?
Mjafton t’i drejtohemi disa prej nën-treguesve kryesorë. Sidomos atyre që lidhen me mirë-qeverisjen. Në daç besoni, në daç jo, por rreshtohemi të fundit në rajon edhe për sa i përket Stabilitetit Makroekonomik, një tregues me të cilin, si të thuash jemi mburrur vazhdimisht dhe jo fare pa të drejtë. Po ja që fqinjët tanë qenkan edhe më mirë. Rreshtohemi të parafundit në treguesin “Institucionet” (vetëm Bosnja na “e kalon” për nga dobësia). Të parafundit edhe për “eficiencën e tregut” shqiptar. Por këtu sidomos alarmante paraqiten sidomos dy tregues, analiza e hollësishme e të cilave (me rrënjë e me degë) duhet të jetë detyrë parësore e administratës përgjegjëse. E kam fjalën për “Dominimin e tregut” dhe për “Efektivitetin e politikave antimonopol”. Jemi përkatësisht 8 dhe 9 pozicione larg nga “fundi i botës” (Chadi). Këtu duhet gërmuar pak, sepse kjo shpjegon më së miri ato pikëpyetje të përditshme që mundojnë njerëzit lidhur me cilësinë (p.sh. të gazit a karburanteve), por sidomos me çmimin e tyre, i cili s’bie për kjamet. Edhe pse bursat botërore flasin për një pikiatë të tyre.
***
Aq i ngjeshur në shpjegime është Raporti, sa që indirekt, duke ju shtuar zërit të ambasadorëve të vendeve të mëdha mike, edhe ai nuk mungon të sjellë kontributin e vet në debatin e sotëm, lidhur me temat e nxehta të pavarësisë së gjyqësorit dhe asaj mbi pastrimin e parave apo aferat e mbuluara, ku ndikimi qeveritar kthehet në përfitime kolosale për të dy palët: edhe për shtetarin edhe për biznesin. Mjafton të lexojmë treguesit “Pavarësia e gjyqësorit” si dhe atë mbi “Favoritizmin”. I pari na rreshton në vendin 121 (ndër 134 vende). Mendoni madje që ky vlerësim është bazuar mbi perceptime të disa muajve më parë, pa ndodhur pra përplasja më e fundit me prokurorinë dhe kapriçoja për “hetim ndërkombëtar”. Ndërsa “Favoritizmi” vërtet na rreshton në vendin 108, por në një kohë kur ende s’dihej gjë për Fazliçin jo e jo, por as për vetë “fjalëkryqin” e Gërdecit.

Kjo është situata. Kushdo është i lutur të mbajë shënim e të bëjë sa mundet në fushën e vet. Një gjë ama është e qartë. Zgjidhjet s’duket të jenë aspak ...teknike.

(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)



Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›