Enciklopedia, reagon Qendra e Studimeve Albanologjike

Qendra e Studimeve Albanologjike, në një deklaratë për shtyp është shprehur në lidhje me botimin e fundit të "Enciklopedisë maqedonase". Sipas deklaratës botimi i fundit i "Enciklopedisë maqedonase" nga Akademia e Shkencave dhe Arteve e Maqedonisë, ende pa u shfletuar mirë, po përcillet me habi dhe me indinjatë jo vetëm nga publiku i gjerë, po edhe nga qarqet shkencore e diplomatike. Në hapësirën gjeokulturore shqiptare objekt i kundërshtimit dhe i zemërimit të hapët janë bërë sidomos interpretimet keqdashëse lidhur me autoktoninë e shqiptarëve të Maqedonisë, po aq sa edhe deformimet e qëllimshme në trajtimin e fakteve historike me rezonancë mbarëballkanike dhe të personaliteteve me prejardhje shqiptare thuhet në deklaratë. Më tej në deklaratë thuhet se Qendra e Studimeve Albanologjike në Tiranë, në cilësinë e institucionit të dedikuar për kërkimin shkencor-akademik në fushat e historisë, të arkeologjisë, të gjuhësisë, të letërsisë, të artit, të antropologjisë kulturore, si dhe në kërkimet enciklopedike shqiptare, e gjen me vend të pohojë se liria akademike është gjithçka tjetër, përpos liri për të mashtruar. Shkenca shpeshherë mund të jetë e ashpër në afirmimin e së vërtetës, por ajo nuk mund të jetë shkencë kur merr përsipër të fabrikojë fiksion dhe të prodhojë urrejtje.