E Diel, 1 Nëntor 2026

Ende asnjë zgjidhje për rastin e Mejsit, vogëlushes që vuan nga sëmundja e rrallë

TIRANË- Historia e Mejsit, vogëlushes 2-vjecare që vuan nga një sëmundje e rrallë dhe e rrezikshme është trajtuar sot edhe në emisionin “Me zemër të hapur” në News 24. Rasti i saj tashmë është bërë i njohur edhe për vetë ministrin e Shëndetësisë Halim Kosova.

Vogëlushja e bukur sapo ka mbushur 2 vjec por fati i keq e ka dënuar atë që të vuajë pa hedhur ende hapat e parë në jetë.
Vajza është e sëmurë nga një tumor i rrallë që rrezikon t’i marrë sytë e më pas jetën nëse nuk operohet në kohë në një spital të specializuar në Gjermani.

Nëna e saj ka apeluar sërish sot për ndihmë, me qëllim që Mejsit t’i mundësohet sa më shpejt kurimi në Gjermani. Rasti i vogëlushes është trajtuar edhe më herët në edicionet informatike në News 24 por edhe BalkanWeb.

Historia e dhimbshme e vogëlushes nis 1 vit më parë kur pas një ekzaminimi rutinë tek okulisti dhe kryerjes së rezonancës prindërit mësuan ajo kishte një kancer të rrallë, pa mundësi kurimi.

‘Sapo e morëm vesh se çfarë kishte vajza u nisëm urgjentisht drejt Greqisë, atje vajza u operua. I kanë hequr një pjesë shumë të vogël për biopsinë, pastaj vijuam me kimioterapinë, bëri 13 cikle por sa vinte e përkeqësohej. Në Greqi na thanë pastaj që ishte e pamundur ta kuronin atje dhe se duhet të shkonim në Gjermani. Na kanë thënë se fillimisht vajza do verbohet e më pas do ketë pasoja më të rënda”, u shpreh nëna e saj.

Të ndodhur përballë situatës së vështirë si dhe mbarimit të kursimeve që familja kishte munduar të mblidhte me ndihmën e miqve dhe familjarëve prindërit vendosën të linin Greqinë e të riktheheshin në atdhe ku do t’i priste një fat edhe më i hidhur. Të papunë dhe pa të ardhura prindërit e Mejsit, Muharrem dhe Majlinda Xhaxhaj nga qyteti i Fierit detyrohen tanimë të shesin edhe shtëpinë për të shpëtuar jetën e vajzës por megjithatë lekët sërish nuk do të ishin mjaftueshëm për të përmbyllur shpenzimet e operacionit në Gjermani.

“Kemi folur me mjekët në Gjermani, të paktën ju duhet të mbyllni të paktën 40 mijë euro në llogarinë e spitalit më thanë për operacionin. Mjeku më dha shumë shpresë edhe pse më tha që operacioni është shumë i vështirë”, ka deklaruar nëna e saj sot.

Shpresa e fundit e prindërve për të shpëtuar Mejsin mbetet lutja publike drejtuar Ministrisë së Shëndetësisë dhe qeverisë shqiptare për ndihmë.

Familja jep këtë numër kontakti për ndihmë për këdo që ka mundësi të kontribuojë. Nr. kontakti 0693737533. Ndërsa në Credins Bank është hapur ky numër llogarie për të kontribuar 000000460931.
(m.a/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›