Ende e pakonsumuar
Ashtu sikurse këngëtarët e tjerë, edhe Zanfina do të krijojë një hit gjatë kësaj vere. Thotë se edhe pse ka pasur oferta për bashkëpunime, nuk e ka bërë këtë. Është e angazhuar shumë nëpër koncerte në Kosovë dhe jashtë saj. Në një intervistë të shkurtë për Express ajo u premton fansave befasi të këndshme.
Express: Çfarë është duke bërë Zanfina Ismaili aktualisht?
Zanfina: Aktualisht jam e angazhuar në koncerte nëpër Kosovë, si dhe duke punuar ende në këngën e re. Gjithashtu jam duke dhënë shumë intervista në Shqipëri, Maqedoni etj
Express: A keni ndonjë projekt, këngë, videoklip?
Zanfina: Projekti i radhës është ende duke u punuar, sepse kënga është në fazën e finalizimit. Pas saj vjen në radhë klipi tamam për sezonin e verës.
Express: Kur pritet të dali?
Zanfina: Nuk do të dija ta thosha me saktësi sepse gjithmonë del ndonjë problem teknik apo ndonjë vonesë e papritur dhe do të ishte e pajustifikueshme nga ana ime nëse do të jepja ndonjë datë konkrete dhe të mos jetë e saktë.
Express: Keni planifikuar ndonjë bashkëpunim – duet me dikë?
Zanfina: Oferta ka pasur, edhe plane, por ja që deri më tani asnjëra nuk u përfundua. Unë jam e gatshme për bashkëpunime, përderisa ato janë produktive. Jam ndër të paktat këngëtare e cila në këtë aspekt nuk jam konsumuar.
Express: Është koha kur planifikojmë pushimet, ku do i kaloni ju dhe me kë sivjet pushimet?
Zanfina: Nuk e di ende, por besoj që me familjen time.
Express: Ku do ju shohin gjatë verës fansat duke kënduar ( pishina, lokale, apo në ndonjë vend tjetër)?
Zanfina: Nëpër diskoteka dhe pishina siç organizohen verës çdo vit nëpër Kosovë.
Express: Cili është libri që jeni duke lexuar( apo cilin e keni lexuar të fundit) ?
Zanfina: Libri i cili jam duke lexuar është nga Alfred Adler (libër psikologjik) dhe quhet “Njohja e njeriut “, apo titull origjinal Menschenkenntnis.