E Diel, 1 Nëntor 2026

Kledi Kadiu: Kam shumë pretendime për të gjetur njeriun e duhur

SHKRUAN: Ilda Lumani 22-06-2011 12:09

Për të është orari i drekës. Sapo ka mbaruar mësimin me studentët dhe ndërsa porosit për të ngrënë, zhvillon edhe këtë bisedë të këndshme me ne. Pak ditë më parë është kthyer nga një prej udhëtimeve më mbresëlënëse të tij. Një eksperiencë sa e dhimbshme, aq edhe e veçantë. Balerini i suksesshëm Kledi Kadiu, i zgjedhur Ambasador i UNICEF Italia, ka vizituar fëmijët e Bangladeshit. Përpos dëshmisë së jetës së tyre të vështirë, Kledi ka marrë prej tyre buzëqeshje dhe përqafime, që janë gjuha më universale në botë... Pas këtij misioni të rëndësishëm, Kledi ka vizituar edhe Tiranën, pak ditë më parë, për të realizuar një projekt të tij. Një emision, ku në qendër do të jenë pedagogët dhe balerinët shqiptarë, që kanë bërë histori në Europë. Program ky që do të transmetohet në çelje të edicionit të dytë “Step, passi di danza” në muajin shtator në Itali. Por sot në këtë rrëfim, Kledi, djali i cili rreth një vit më parë na prezantoi “Jetën e tij, si një përrallë”, përmes të parit libër të tij, botuar nga shtëpia botuese “Dudaj”, në Tiranë... tregon për gjithë përvojat, që nga libri, ekrani e filmi... E ardhmja e tij?! Sigurisht, e pandashme nga baleti... Një lidhje serioze për të...? Eh... Kjo është histori e gjatë... Le të na e zbulojë ai vetë në këtë intervistë speciale, realizuar për gazetën “Mapo”!

Kledi, si do ta përshkruanit këtë fazë të jetës suaj?

Ky është çast i një lumturie të madhe. Çast me shumë sadisfaksion, që ka filluar me punën, arritjet pas një mundi të madh, miqtë e jetën në të gjitha ngjyrat e saj. Një moment pozitiv, për ta përmbledhur.

Aktualisht jeni marrë edhe me bamirësi. Mund të na tregoni diçka rreth eksperiencës suaj, që sapo patët në Bangladesh?

Mund të them se kjo ka qenë ndoshta përvoja më goditëse e jetës sime! Jo se unë kam lindur në një vend të përkryer, pasi edhe ne në Shqipëri kemi përjetuar situata të vështira, por kurrë, kurrë nuk e kisha menduar se do të gjeja një situatë kaq të rëndë e dramatike. Bëhet fjalë për vendin më të varfër në botë, unë u zgjodha nga UNICEF ITALIA si ambasador i UNICEF, për të dëshmuar punën që kjo organizatë bën në bashkëpunim me qeverinë vendase në ndihmë të fëmijëve. Është një vend që ka mbi 160 milionë banorë, nga këta, 63 milionë janë fëmijë nga mosha 0-18 vjeç. Ishim aty për të mbikëqyrur tri projekte, atë kundër shfrytëzimit të fëmijëve në punë, trafikun e fëmijëve dhe prostitucionit me ta. Tri plagë shumë të rënda që përjetojnë njerëzit e këtij vendi dhe sigurisht ata që e vuajnë më shumë janë pikërisht fëmijët. Vizituam shkolla, fëmijë, duke vëzhguar projektet që realizon UNICEF, për t’i larguar nga rruga këta fëmijë. Atje quheshin fëmijët e rrugës dhe ishte tejet e dhimbshme t’i shihje. Ishte një histori e fortë, që më bëri të reflektoj dhe të mendoj mirë për atë që kemi, që kam personalisht e që kemi të gjithë në shoqërinë e sotme. Ishte ama një gjë që më bëri të përjetoj për ato 10 ditë rresht, një çast ndryshe. Nga fëmijët e atyshëm, mora buzëqeshje aq të ndryshme, e pra ato nuk vinin nga fëmijë të varfër, po nga fëmijë në një mjerim të patregueshëm e të tejskajshëm. Sapo u afroheshe atyre, nuk ishte nevoja t’u flisje në gjuhën tënde, ose ata në të tyren, sepse sakaq lindte një gjuhë universale që ishte buzëqeshja, përkëdhelja apo një përqafim, duke luajtur me ta. Ishin tërësisht vlera të përjetuara aq ndryshe nga bota jonë! Ndoshta duhet të mësojmë edhe ne pak nga ata. Kjo ishte përvoja ime e parë në Bangladesh, që besoj do të vazhdojë, pasi edhe në Itali jam dëshmitar i një fushate në mbrojtje të të huajve: “Unë si ti, kurrë armiq prej lëkurës”, gjë që u kushtohet fëmijëve të emigrantëve që lindin aty. Fushata ka për qëllim sensibilizimin për të drejtat e tyre; nuk është një fushatë për mbledhje fondesh, por një fushatë për të sensibilizuar opinionin publik, që fëmijët e lindur në Itali nga prindër të huaj kanë po ato të drejta me fëmijët italianë. UNICEF Italia më zgjodhi mua për këtë fushatë dhe unë u thashë po, sigurisht.

Kjo kërkesë për të qenë pjesë e fushatës sensibilizuese, ka ardhur tek ju për vetë faktin se jeni një përfaqësues i denjë i të huajve në Itali?

Sigurisht, që më kanë zgjedhur dhe për këtë arsye. Duke e përjetuar edhe unë vetë këtë përvojë, kush më mirë se unë mund ta bënte këtë gjë?! UNICEF ka bërë një sondazh para se të zgjidhte ambasadorin e saj, personin që do ta prezantonte dhe kur ma propozuan këtë fushatë thashë menjëherë “Po”. Pas kësaj mora një mbështetje jo vetëm nga ata, por edhe nga opinioni publik.

Kledi, profesioni juaj është baleti. Keni provuar ekranin, filmin dhe librin. Këto eksperienca të reja tuajat, do të jenë pjesë e vazhdimësisë së karrierës suaj?

Mbeten gjithmonë eksperienca që rrisin më shumë vlerat, por edhe bagazhin e një artisti. Megjithatë, unë kam studiuar kërcim në Shqipëri, jam bërë një balerin, kam investuar një jetë të tërë mbi këtë disiplinë, të gjitha përvojat e tjera, me siguri më kanë ndihmuar të rritem më shumë, por kam mbetur dhe do të jem gjithmonë një balerin, derisa mosha të ma lejojë. Nuk mund të cilësohem si një aktor apo shkrimtar, falë atyre eksperiencave të tjera. Nuk mund të quhesh aktor vetëm me 3-4 përvoja nëpër filma, apo shkrimtar se ke shkruar një libër. Unë nuk mendoj kështu të paktën! Aktrimi nuk është zhanri im, nuk është rruga ime, nuk është objektivi im. Kanë qenë gjëra që më kanë ndodhur rrugës, m’i kanë propozuar, kam reflektuar, dhe nëse kam menduar se duhej provuar, e kam ndërmarrë atë hap. Por nuk kam studiuar një jetë të tërë, për t’u bërë aktor. Kam studiuar të bëhesha balerin dhe do të jem i tillë, pasi nuk mendoj se duhet të nënvlerësoj një gjë, së cilës i kam kushtuar jetën.

Kledi, vazhdoni ta shihni jetën tuaj ‘si një përrallë’ ashtu siç e keni përshkruar në librin tuaj?

Ai ishte një titull që të shtynte ta shihje si një përrallë. Një përrallë, sepse si në të gjitha përrallat, ndodhën disa gjëra që erdhën si rastësisht, por edhe për shkak të talentit e punës, në rastin tim mbase, fati takoi talentin. Jo gjithçka ndodh falë fatit...

Ju besoni apo jo te fati?

Jo, unë besoj te talenti dhe puna, dhe e kam provuar këtë.

Kledi, të qenit ende beqar ju ka bërë më të suksesshëm në Itali?

Jo nuk besoj! Kam qenë edhe i fejuar edhe beqar, por nuk kam përjetuar ndonjë ndryshim të dashurisë që publiku ka pasur për mua, e kështu duhet të jetë, apo jo?

Po në Itali, ku tradita e fansave është më e theksuar, sigurisht që më të preferuar janë beqarët...?!

Eh, kjo është ajo që na kanë bërë të besojmë një jetë të tërë...! Pastaj besoj se kjo ndodh më shumë në Shqipëri, se e para gjë që të pyesin është jo çfarë pune bën, por a je i martuar apo jo?

Aktualisht, keni një histori serioze?

Jo, për momentin s’kam asgjë të re, por do ta merrni vesh kur të vijë ai çast .... Është shumë e vështirë, më saktë unë jam i vështirë, kam shumë pretendime për të gjetur njeriun e duhur!

Tirana do të jetë gjithmonë një stacion i shkurtër për ju?

Jo, nuk do ta quaja stacion të shkurtër, pasi në radhë të parë kam edhe fatin e madh që kam prindërit në Shqipëri, vijnë shumë shpesh në Romë, por edhe unë vij e i takoj në Tiranë. Fija më e fortë që më lidh me Tiranën është familja, sepse asaj ia kam borxh gjithë jetën, për sakrificat që kanë bërë për mua e po ashtu ndjej edhe gëzimin e madh, sepse më duket që më në fund, pas kaq shumë vitesh, ua ktheva diçka mbrapsht. Edhe pse çdo familje, çdo prind, nuk pret kurrë nga fëmija e vet, ngase jep pa fund, pa pritur të marrë diçka në këmbim...

Dikur Tirana ishte një stacion ca më i shkurtër, sepse kam qenë gjithmonë i mbytur në punë, me turne, me programin e Rai5, me shkollën e me aktivitete të ndryshme, që nga baleti dhe deri te jeta sociale me UNICEF. Kështu që më falet... (qesh).

Por kemi disa projekte me Tiranën dhe i pari ishte vizita në Akademi dhe në Teatrin e Operas dhe Baletit. Aty bëmë hapjen e serisë së parë të edicionit të dytë të programit “Step, passi di danza”, që transmetohet në kanalin e RAI5, më 15 shtator. Pata fatin të intervistoj profesorin tim, Agron Aliaj, Luan Shtinon, Blerina Arbanën e Zhani Cikon (drejtorin e TKOB).

Qëllimi i programit është të prezantojë artin e baletit shqiptar në Itali?

Pikërisht ky është objektivi. T’ju tregoj balerinëve italianë, e jo vetëm, baletin e balerinët shqiptarë që punojnë dhe janë të suksesshëm jo vetëm në Itali por në të gjithë Europën. E nisa pikërisht nga kjo Akademi, që ka prodhuar gjithë këta breza talentesh, që nga Ilir Kerni, mësuesi im i baletit klasik, Ludmill Çakalli e Albana Sulejmani, Hektor Budlla, balerin i parë në kompaninë e Reggio Emilia-s, Leart Duraku, balerin në teatrin e Montekarlos, Gentian Dodaj, balerin në Madrid, Altin Kaftira, balerin i parë në Amsterdam, Lola Fejzo dhe talenti femëror që na nderon Anbeta Toromani. Janë gjithë këta emra që do të jenë në pjesën e parë të emisionit, të cilët do të vijnë me intervista të shkurta. E filluam nga Tirana, morëm edhe dy klasa të djemve dhe vajzave të rinj të Belës dhe Luanit. Jemi shumë të kënaqur, jo vetëm unë, por e gjithë trupa e xhirimit.

Misioni vazhdon

Tani një emision për artistët shqiptarë në RAI5

Kledi Kadiu është nderuar nga Presidenti Alfred Moisiu, me çmimin Ambasador i kombit “Për interpretim virtuoz në artet koreografike dhe përfaqësim dinjitoz të imazhit dhe vlerave të Shqipërisë nëpër botë”, çmim i marrë në të njëjtën kohë me Inva Mulën. Këto ditë, Kledi u prit edhe nga ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto. Ai ishte i shoqëruar nga një grup produksioni i radio televizionit italian “Rai 5”. Dokumentari televiziv, i cili po realizohet me mbështetjen e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Ambasadës sonë në Romë, e cila ndihmoi pa masë, do të shfaqet ne televizionin prestigjioz Rai 5 dhe synon të përcjellë një imazh pozitiv për Shqipërinë, akademinë e shkollës artistike shqiptare dhe artistëve të saj kudo që ndodhen, jo vetëm në Itali por dhe në Europë

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›