E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ende frikë, edhe pse rastet rrallohen

Sipas qeverisë meksikane, përhapja e virusit të gripit të derrave duket se është vënë nën kontroll, ndërkohë që janë pakësuar ndjeshëm rastet serioze, por autoritetet botërore të shëndetësisë vazhdojnë të thonë se rreziku i pandemisë është ende më se i pranishëm. "Çdo ditë regjistrohen gjithnjë e më pak raste serioze dhe vdekshmëria ka rënë ndjeshëm", tha ministri meksikan i Shëndetësisë, Hoze Angel Kordova, gjatë një konference shtypi në Meksiko, ku banorëve vazhdohet t‘u këshillohet nga ana e autoriteteve të qëndrojnë të mbyllur nëpër shtëpira. Ministri Kordova tha se ndër më shumë se 100 vdekjet e dyshuara si të shkaktuara nga gripi i derrave, janë konfirmuar deri tani 19.

Gjithsesi, raste të infektimit me virusin e gripi të derrave, tek i cili janë përzierë viruse me prejardhje nga njeriu, derrat dhe shpezët, vazhdojnë të shënohen edhe në vende të tjera të botës. Kolumbia u bë vendi i fundit që konfirmoi një të infektuar, duke u bërë kështu vendi i 19-të i prekur nga gripi. Në Gjenevë, Organizata Botërore e Shëndetësisë bëri me dije se gripi H1N1 nuk është përhapur në shkallë masive jashtë Amerikës së Veriut, gjë që do të shoqërohej nga ngritja e nivelit të alarmit pandemik në shkallën më të lartë. Por nënvizoi se një gjë e tillë mund të ndodhte shpejt. "Do të vazhdoja të këmbëngulja që rreziku i pandemisë është ende i pranishëm, pasi jemi bërë dëshmitarë të përhapjes së virusit", tha dje gjatë një konference të shkurtër shtypi, Maikëll Rajan, drejtor i departamentit të alarmit dhe reagimit global të Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Ndërkaq, janë disa ato shtete që kanë vepruar energjikisht përpara frikës së përhapjes së virusit të gripit të derrave. Madje, në ndonjë rast edhe me pasoja. Vendimi i qeverisë kineze për të mbajtur meksikanët të mbyllur në hotele apo vende të tjera, pavarësisht faktit nëse ata janë apo jo të sëmurë, ka shkaktuar acarime diplomatike me Meksikën. Në Hong-Kong, policia vuri në kushte karantine një hotel të tërë për gjithë fundjavën, pasi një klient meksikan rezultoi pozitiv ndaj testeve, ndërkohë që meksikanëve të tjerë u është kufizuar lëvizja në Pekin, Shangai e gjetkë. Ministrja e Jashtme e Meksikës, Patricia Espinosa, kritikoi veprimin e kinezëve, duke thënë se izolimi i meksikanëve që nuk shfaqnin shenja të sëmundjes qe i pakuptimtë.

Autoritetet meksikane bënë me dije gjatë ditës së djeshme se situata po stabilizohej dhe se në spitale po regjistrohen gjithnjë e më pak raste pacientësh me simptoma të rënda. Organizata Botërore e Shëndetësisë bëri me dije se laboratorët e saj kanë identifikuar një total prej 787 rastesh infeksioni në 17 vende, përfshi një rast në Irlandë (rasti i Kolumbisë u regjistrua më pas) dhe se janë konfirmuar 19 vdekje për shkak të tij në Meksikë. Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i dyti për nga shkalla e përhapjes së virusit pas Meksikës, kanë konfirmuar 160 raste infeksioni në 21 shtete.

Por spitalet publike të Meksikës kanë vërejtur pakësim të vazhdueshëm të rasteve të infeksioneve, gjë që do të thotë se masat e deritanishme (siç është shmangia e ambienteve me shumë njerëz dhe përdorimi i mjeteve mbrojtëse, si maskat) kanë qenë të frytshme për kufizimin e përhapjes së infeksionit. Autoritetet shëndetësore amerikane bënë me dije se i shihnin me sy shumë pozitiv zhvillimet në Meksikë, por shtuan se qe tepër herët për të festuar. Thuajse të gjitha rastet e infeksionit jashtë kufijve kanë qenë mesatarë. E vetmja vdekje jashtë kufijve meksikanë ka qenë ajo e një foshnje meksikane, e cila qe dërguar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për kurim.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›