Ben Blushi, në antologjinë letrare evropiane
Së shpejti, Ben Blushi si shkrimtar do të jetë i përfshirë në antologjinë letrare evropiane, "Best of European Fiction 2010" në gjuhën angleze, e cila botohet çdo vit nga shtëpia botuese amerikane, "Dalkey Archives Press", në Illinois. Disa kapituj të romanit të tij, "Të jetosh në ishull", dhe të dhëna për autorin, janë përkthyer nga studiuesi Robert Elsie. Sipas botuesit amerikan, Jeremy Davies, siç shprehet ai në letrën që i ka dërguar botuesit të "Toena"-s, jehona e suksesit të librit të Ben Blushit i ka ngjallur interes, ndaj ai kërkon me insistim dhe ka dërguar kontratën për të drejtën e botimit në gjuhën angleze, që një pjesë e romanit të tij të përfshihet në këtë antologji prestigjioze. Bashkë me një pjesë të romanit të përkthyer në anglisht në antologjinë "Best European Fiction 2010", do të botohet edhe një prezantim i shkurtër për autorin dhe veprën e tij me rreth 400-500 fjalë. Libri i Ben Blushit, "Të jetosh në ishull", u botua nga shtëpia botuese, "Toena", në prill të vitit 2008. Libri është përkthyer në greqisht nga shtëpia botuese "Kastaniotos", ndërkohë që janë në bisedime për botimin e librit në frëngjisht dhe italisht. Javën e ardhshme, vetëm një vit pas botimit të romanit të parë, në tregun e librit shqip do të hidhet në qarkullim romani i dytë i Ben Blushit, i titulluar "Otello, arapi i Vlorës".