Teatri i Metropolit hap dyert për të burgosurat
Iniciativa që disa të burgosura të shihnin "Filumena Marturano" në Teatrin Kombëtar u përshëndet. Ngjarja përsëritet sërish. Këtë herë në teatrin e Metropolit. Mbrëmjen e djeshme, disa gra të burgut "Ali Demi" janë ulur në karriget e sallës së teatrit të ri, për të parë shfaqjen "Kopshti i vishnjave" të Çehovit. Gratë e burgosura ishin të parat e përzgjedhura në iniciativën për të qenë më pranë shtresave në nevojë. Sipas drejtorit Kiço Londo, "Teatri i Metropolit, përveç funksionit të tij argëtues, kulturor e edukativ, tashmë do të jetë në shërbim të shtresave më në nevojë të shoqërisë tonë. Kjo nismë është bërë e mundur në sajë të bashkëpunimit me Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve". Sipas drejtuesve, do të vazhdojë me aktivitetet kulturore dhe sportive që do të synojnë rehabilitimin dhe trajtimin sa më human të kësaj kategorie.