E Shtunë, 31 Tetor 2026

Veronika Lario kërkon divorcin nga Berluskoni

Veronika Lario, bashkëshortja e Kryeministrit italian, Silvio Berluskoni, ka bërë të ditur se ka vendosur të kërkojë divorcin nga i shoqi pas një serie polemikash të dyanshme publike të shkaktuara nga qëndrimet e Berluskonit lidhur me disa politikane të reja të përfshira kohët e fundit në partinë e tij. Mediat italiane raportuan dje se Lario, 52-vjeçare, ka kontaktuar një avokat për të nisur procedurat e divorcit kundër Silvio Berluskonit, 72-vjeçar, me të cilin është e martuar që në vitin 1990.

Javën e shkuar, Veronika Lario, ish-aktore, publikoi një letër zemërimi në agjencinë e lajmeve "Ansa", përmes së cilës cilësonte si "të paturp" planin e Berluskonit për të përfshirë në listën e kandidaturave për në Parlamentin Evropian një seri vajzash në moshë të re, mes të cilave edhe një vajzë që ka marrë pjesë në spektaklin "Grande Fratello". Njëherësh kritikoi me nota të ashpra pjesëmarrjen e Berluskonit në festën e përvjetorit të një 18-vjeçareje nga Napoli - sipas Kryeministrit, vajza është bijë e një të njohurit të tij të vjetër. Një burim pranë Larios konfirmoi ato çfarë shkruheshin dje në të përditshmen italiane "La Repubblica", sipas së cilës, në një rast bashkëshortja e Kryeministrit ka thënë se "nuk mund të jetoj me një burrë i cili frekuenton vajza minorene".

Silvio Berluskoni i kërkoi publikisht të falur Veronikës në vitin 2007, pasi ajo shkroi në një të përditshme italiane për t‘u ankuar ndaj flirtimit të të shoqit me një yll të njohur të spektaklit gjatë një ceremonie për ndarje çmimesh. Pas shpërthimit të polemikave gjatë javës së fundit, Berluskoni vendosi të mos bënte më prapa, si në vitin 2007, duke deklaruar se e shoqja ishte gënjyer nga ato që shkruante me dashakeqësi media e majtë.

Veronika Lario, ish-aktore, emri i vërtetë i së cilës është Miriam Raffaela Bartolini, u lidh me Berluskonin pasi ky e kishte parë gjysmë të zhveshur në një teatër të Milanos në vitin 1980. Në atë kohë, miliarderi italian ishte i martuar me bashkëshorten e parë, me të cilën ka dy fëmijë. Lario dhe Berluskoni kanë tre fëmijë.

E përditshmja italiane, "La Repubblica", bëri me dije dje se Lario e kishte diskutuar me të bijtë vendimin për t‘u divorcuar nga i shoqi. "Në këtë pikë jam e bindur se do të ishte shumë më dinjitoze të ndalesha këtu", mësohet të ketë thënë ish-aktorja. Izolo Gedini, një prej avokatëve të Berluskonit, tha dje se Kryeministri kishte vendosur të mos lëshonte ndonjë deklaratë lidhur me këtë çështje që e konsideron tërësisht familjare. "Të gjitha çështjet e këtij lloji janë personale dhe të dhimbshme", ka thënë për të përditshmen "Corriere della Sera".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›