Dokumenti i Abu-Dabit, studiuesi Kruja: Një nga arritjet e Papa Françeskut

Çfarë përfaqësonte Papa, si udhëheqës i Kishës Katolike, për komunitetet e tjera fetare?
Kësaj pyetjeje iu përgjigj të hënën Genti Kruja, studiues i dialogut ndërfetar në emisionin “një Shqipëri” me Mentor Nazarkon.
Ai tha se një nga gjërat më të rëndësishme që zhvilloi Papa Françesku, në raport me myslimanët, është nënshkrimi i dokumentit të ashtuquajtur “Abu-Dabi”.
Deklarata e “Vëllazërisë Njerëzore për Paqen Botërore dhe Bashkëjetesën” u nënshkrua nga Papa Françesku me sheikun Ahmed el-Tayeb, kryeimamin e Al-Azharit, më 4 shkurt 2019 në Abu-Dabi, Emiratet e Bashkuara Arabe. Dokumenti lindi nga një diskutim mes papës dhe el-Tayeb për besimet e ndryshme, si ato të jetojnë paqësisht në të njëjtën botë me synimin për të avancuar “kulturën e respektit të ndërsjellë”.
“Ky dokument, që përkujtohet çdo vit, është i rëndësishëm, duke parë pikat që na bashkojnë. Janë problemet dhe sfidat e kohës që na bashkojnë,” tha ai.
A ka një lloj reflektimi për dialogun ndërfetar?
“Papa Françesku ishte jo vetëm një lider i gjithë Kishës Katolike, por dhe kryetar i një shteti, si shteti i Vatikanit. Kemi disa vizita të zhvilluara në vende me shumicë myslimane. Që përpara se të bëhej papë ai ka formuar një lloj konference, ku përfshiheshin të gjithë katolikët në botë. Sapo mori detyrën, u përfshinë edhe myslimanë,” tha z. Kruja.
/rtsh.al/