E Hënë, 2 Nëntor 2026

Ndue Ukaj: Kosova sot nuk është Kosova autentike

Studiuesi dhe shkrimtari Ndue Ukaj, i ftuar në emisionin “Një Shqipëri” në RTSH 1 me Mentor Nazarkon, tha se Kosova politike e këtyre viteve të fundit nuk është Kosova autentike.

“Zgjedhjet e fundit, ka një kahje jonatyrale. Kosova është europiane dhe Kosova ka një konstitucion europian. Ne jetojmë në një vëllazëri me dallime të kuptueshme,” u shpreh z. Ukaj.

Moderatori, z. Nazarko shtroi pyetjen e luftës dhe paqes dhe çfarë mund ta destabilizonte vëllazërinë.

“Nuk e besoj, sepse nëse nuk ia ka dalë ta destabilizojë Serbia përgjatë viteve të gjata të okupimit, kur është ushtruar terror i pafund,” tha shkrimtari, z. Ukaj.

Nazarko: Kosova e Rugovës, pse lindi ekstremizmi islamik?

Në emisionin “Një Shqipëri” në RTSH, ishte i ftuar edhe ish-ambasadori i Kosovës në Itali, Albert Prenkaj. Sipas tij, Kosova ballafaqohet me probleme serioze deri ekzistenciale pas vdekjes së ish-kryeshtetarit Ibrahim Rugova dhe pas luftës.

Pjesë nga biseda:

Nazarko: “Pse, ajo Kosovë që arriti të depërtonte në kancelaritë perëndimore për të treguar të vërtetën e vet përmes Rugovës, një Kosovë që zhbëri narrativën serbe, si kjo Kosovë që falë këtij Rugove, arriti një vepër të pashoqe si bombardimi i Serbisë, arriti në shfaqje të tilla të ekstremizmit islamik, si ato që po shohim sot?”

Albert Prenkaj: “Serbia e ka pushtuar Kosovën para komunitetit ndërkombëtar, duke u paraqitur si një shtet që kontrollon masa të tjera, që janë jo të krishtera. Rugova ka shpërfaqur para komunitetit ndërkombëtar dhe Perëndimit vetëm atë se çfarë ka qenë Kosova. Ajo që i ka ndodhur Kosovës pas vdekjes së tij dhe pas luftës është një përplasje paradigmash në Ballkan. Kemi përpjekje për nxjerrjen e shqiptarëve nga shtrati i tyre kulturor, sjelljen e paradigmave e kulturave të reja, që përpiqen të mbulojnë aspektet e Kosovës. Sot, Kosova ballafaqohet me probleme serioze, ekzistenciale e flitet dhe për probleme të dëmtimit të shtyllës kurrizore, të kulturës.“

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›