Ende pa marrëveshje për punësim sezonal në BE

Autoritetet e Kosovës nuk kanë arritur të nënshkruajnë asnjë marrëveshje të re me ndonjë nga shtetet e BE-së për punësim sezonal të qytetarëve të vendit tonë. Deri më tani, Kosova ka të realizuar vetëm një marrëveshje për punësim sezonal me Gjermaninë, e arritur në vitin 2004.
Arritja e marrëveshjeve te reja për punësim sezonal, sipas zyrtarëve të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, po has në vështirësi të mëdha. Njëra nga arsyet e mos realizimit të këtyre marrëveshjeve, siç thotë zëdhënësi i MMS-së, Behxhet Gaxhiqi, është kriza ekonomike në eurozonë.
“Kosova nuk është ende nënshkruese e marrëveshjes për stabilizim asociim, po ashtu edhe kriza ekonomike globale ka bërë që të mos mund të arrihet ndonjë marrëveshje e re. Dihet se shumë shtete të BE-së kanë probleme të mëdha me ulje të punësimit në vendet e tyre andaj edhe nuk janë të gatshme të marrin punëtorë nga Kosova”, thekson Gaxhiqi për Rel.
Mirëpo, njohës të rrethanave ekonomike kërkojnë më shumë angazhim institucional për arritjen e marrëveshjeve për punësim sezonal.
Profesori i ekonomisë, Isa Tahiri, thotë se punësimi sezonal do të lehtësonte jetesën e atyre që mund të punojnë për një kohë në një nga shtetet e BE-së.
“Studentët të cilët shkojnë dhe punojnë për një kohë në ndonjë shtet, mund të lehtësojë jetesën e tyre, por pa ndonjë marrëveshje të mirë dhe më numër më të madh të të punësuarve nuk mund të arrihet zbutja e papunësisë në Kosovë”, thotë Tahiri.
Marrëveshja me Gjermanisë, e cila mundëson punësim sezonal për studentë kosovarë, sipas Gaxhiqit, do të realizohet edhe në këtë vit.
Në vitin që lëmë pas, numri i studentëve të cilëve iu ishte mundësuar ky lloj punësimi në shtetin gjerman ka qenë 180. Këta studentë kanë punuar në sektorin e bujqësisë, në gastronomi, hoteleri dhe prodhimtari.
Gaxhiqi tregon se tani e kanë të gatshme edhe listën e profileve të profesioneve që ka Kosova.
“Realisht në listë ka profile të ndryshme. Ka teknikë mjekësorë. Por, në momentin kur do të mund të arrihet diçka konkrete, ne do t’i specifikojmë të gjitha kuadrot që mund t’i ofrojmë”, shprehet ai, duke shtuar se në momentin kur të arrihet ndonjë marrëveshje për punësim sezonal do të informohet publiku.
Në rezultatet e regjistrimit të popullsisë, ku tregohen edhe shifrat e papunësinë, thuhet se prej 508 mijë e 100 banorëve të aftë për punë, 44.9 për qind e tyre janë të papunë. Kosova ka 227 646 banorë të papunë, përderisa të punësuar konsiderohen 280 454 persona./Indeksonline/