Me bombë në dorë në një restorant të Istogut

Minuta të frikshme për klientët e një restoranti të njohur të cilët u përballën me pasiguri pasi një person me bombë në dorë kërcënonte të hidhte në erë lokalin.
Ngjarja ka ndodhur pasdreken e sotme në restorant “Rosana” në qytetin e Istogut, konfirmuan për noa., policia e Pejës.
Personi me inicialet A.H., 33 vjeç, është gjendur në restorantin “Rosana“në qendër të qytetit Istog, dhe me vete mbante një mjet të rrezikshëm për rrethin ku ai gjendej, një granatë dore ofensive.
Një telefonatë ka mbërritur në polici dhe pak minuta më pas, njësitet përkatëse intervenuese kanë ndërmarrë veprime të menjëhershme.
“Gjatë kontrollit tek i dyshimti shtetasi i Kosovës A.H.(1979) kanë gjetur në xhepin e brendshëm të xhaketës një granatë dore. Ky i dyshuar është arrestuar dhe janë ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme me qellim që granata të largohej nga vendi ku ishte rrezik për qytetar”, - tha zyrtarisht policia.
Lidhur me ketë incident është kontaktuar edhe Prokurori i çështjes me urdhëresë të cilit i dyshimti është ndaluar për 48 orë dhe do t’u nënshtrohet procedurave ligjore në vazhdim./Indeksonline/